Lajme

Specialja refuzon kërkesën e mbrojtjes për klasifikimin e materialit dëshmues si jo-konfidenciale në rastin e ish-krerëve të UÇK-së


Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi

Gjykatësi i procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Nicolas Guillou, ka refuzuar kërkesën e mbrojtëse për riklasifikimin e materialit dëshmues në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në vendimin e gjykatës thuhet se mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Krasniqit, kanë parashtruar një kërkesë te gjyqtari Guillou, se Zyra e Prokurorit të Specializuar, pa dhënë arsye, i ka klasifikuar si konfidenciale të gjitha materialet dëshmuese të zbuluara deri më tani, duke shkelur kështu disa nga rregullat e Gjykatës Speciale.

Dhe mu për këtë arsye mbrojta ka kërkuar nga Gjyqtari Guillou, të urdhërojë ZPS-në ta riklasifikiojë  çdo material jokonfidencial si publik, të urdhërojë ZPS-në të justifikojë klasifikimin konfidencial të materialeve dëshmuese që nuk janë të disponueshme publikisht dhe të caktojë një afakt kohor për përfundimin e riklasifikimit të materialit zbulues nga ZPS.

Por në përgjigjen e ZPS-së për këtë kërkesë të mbrojtjes thuhet se kjo e fundit e keqkupton qëllimin e parimit të publicitetit të procedurave dhe se në fazën aktuale paraprake të procedurës, në veçanti, një klasifikim konfidencial mbetet i përshtatshëm.

Tutje, thuhet se megjithatë, ZPS-ja “këshillon që do të rishikojë, dhe kur është e përshtatshme, do të rishikojë klasifikimin e materialeve provuese përpara fillimit të gjykimit dhe që klasifikime të tilla do të mbeten nën shqyrtim gjatë gjithë procedurës.

Vendimi thotë se në fillim gjyqtari i procedurës paraprake kujton se, në përputhje me rregullin 83(1) të Rregullores, çdo procesverbal jopublik i procedurës dhe provave do të tregojë arsyet për një klasifikim të tillë dhe nëse dhe kur mund të riklasifikohet.

“Për më tepër, gjyqtari i procedurës paraprake rikujton vendimin kuadër për zbulimin e provave dhe çështjet e ndërlidhura (“Vendimi kuadër për zbulimin”), i cili specifikon se “[…] gjatë zbulimit të provave, palët do të përcaktojnë nivelin e duhur të klasifikimit të çdo sendi dhe do të regjistrojë provat si publike, përveç nëse ekzistojnë arsye për të klasifikuar materialin ndryshe, në përputhje me Rregullin 83(1) të Rregullave”, thuhet në këtë vendim.

Sipas vendimit, për një pjesë të konsiderueshme të materialit dëshmues të zbuluar, në veçanti materialet e lidhura me dëshmitarët (deklaratat e marra nga ZPS dhe institucionet e tjera, si dhe materialet e lidhura me ato deklarata) ose materialet e marra nga institucione të tjera ndërkombëtare, gjyqtari i procedurës paraprake ka urdhëruar masat mbrojtëse pas shqyrtimit të arsyetimeve të duhura të ofruara nga ZPS.

Vendimi thotë se  një material i tillë ruan klasifikimin e tij deri në momentin kur masat mbrojtëse të urdhëruara gjyqësore do të hiqen, ose siç urdhërohet ndryshe nga një panel.

Në fund thuhet se gjykata refuzon kërkesën në masën që kërkon nga gjyqtari i procedurës paraprake të urdhërojë tani riklasifikimin e materialeve provuese jo-konfidenciale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore