Lajme

Specialja e fton për të dëshmuar inspektorin e AKI-së, Burim Ramadani


Burim Ramadani.

Gjykata Speciale e ka ftuar Inspektoratin e Përgjithshëm të Agjencisë të Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani që të dëshmoj në cilësinë e dëshmitarit.

Këtë e ka bërë të ditur AKI, përmes njoftimit për media.

“AKI njofton opinionin publik se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dërguar fletëthirrje për dëshmitar për Inspektorin e Përgjithshëm të AKI, Burim Ramadani”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, thuhet se në fletëthirrje precizohet se Ramadani urdhërohet të paraqitet si dëshmitar për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në datën e caktuar.

Në fletëthirrje nga ai është kërkuar që “të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës se luftës, dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000”.

“Ramadani është plotësisht i vetëdijshëm për obligimet ligjore në raste të këtilla, sikurse edhe që beson se ky është një gabim teknik dhe si i tillë do të qartësohet më tutje”, thuhet në njoftim.

Gjykata Speciale.

Të mërkurën e 18 majit, ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim.

Ata janë shpallur në disa pika fajtorë, por jo edhe për pikën e aktakuzës “hakmarrje”.

Dënimi, nga gjashtë vjet sa kishte kërkuar prokuroria, është dhënë për 4 vjet burgim.

“Të akuzuarit vazhduan të shpërndajnë në shkallë të gjerë informacionin e mbrojtur që përfshinte emrat e qindra dëshmitarëve të mbrojtur. Ata e bënë këtë në mënyrë të përsëritur dhe me entuziazëm”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, në leximin e vendimit.

Më 26 tetor të vitit 2020 në Gjykatën Speciale në Hagë ishte konfirmuar aktakuza edhe ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore