Lajme

Specialja do të duhej të njoftonte riemërimin e Prokurorit Special Jack Smith


Prokurorët Cezary Michalczuk dhe Jack Smith.

E kundërligjshme nuk është, por Gjykata Speciale do të duhej të njoftonte për riemërimin e Prokurorit Special, Jack Smith, edhe për një mandat 4 vjeçar.

Kështu thonë njohësit e çështjeve juridike në një bisedë për Albanian Post.

Avokati, Tahir Rreci, i kontaktuar nga mediumi për këtë çështje, deklaroi se riemërimi i një personi në një pozitë kaq kapitale brenda tribunalit nuk është zhvillim që mund të mbahet i fshehur.

“Brenda një kohë shumë të shkurt merret vesh nuk është një çështje që mund të fshihet ose të heshtet, por nuk është ndonjë shkelje ligjore”, deklaroi Rreci për AP.

“Shkelja e publiciteti është çështje tjetër”, pohon avokati, “pra, ka bërë një shkelje sa i përket informimit të opinionit për vazhdimin e mandatit të prokurorit”.

Prokurori Jack Smith.

Edhe Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në një përgjigje me shkrim për Albanian Post pohon ngjashëm sikurse Rreci.

“Pavarësisht se ligji nuk obligon që të bëhet publike një informatë e tillë, sigurisht që do të ishte praktikë e mirë dhe në shërbim të parimit të publicitet dhe transparencës bërja publike e një njoftimi”, thotë Shala.

Jack Smith riemërohet Prokuror Special

Albanian Post njoftoi të martën se Gjykata Speciale e ka riemëruar prokurorin amerikan, Jack Smith, në pozitën e Prokurorit të Specializuar, duke i dhënë edhe një mandat katër vjeçar.

Riemërimi nuk u njoftua fare nga Gjykata.

Smith-it i kishte skaduar mandati në fillim të këtij muaji, por riemërimi i tij është hetuar vetëm pas një kërkese nga Albanian Post për të kuptuar se kush është aktualisht prokuror, meqë me 7 maj bëheshin katër vjet nge emërimi tij.

“Jack Smith është riemëruar Prokuror Special në maj të vitit 2022, nga Autoriteti Emërues për një term katër vjeçar”, thuhet në përgjigjen e Speciales për AP.

Riemërimi, siç thotë gjykata është bërë “në pajtueshmëri edhe me Nenin 35 të Ligjit për Dhomat Speciale dhe Zyrën e Prokurorit Special”.

Neni 35 i këtij ligji, saktësisht pika tetë e tij, thotë se “Prokurori i Specializuar shërben për një mandat katërvjeçar dhe gëzon të drejtën e riemërimit”.

Gjithashtu, saktësohet se “termat dhe kushtet e shërbimit të prokurorit janë në nivel të krahasueshëm me atë të Kryetarit të Dhomave të Specializuara apo Administratorit të Zyrës së Regjistrimit”.

Gjykata Speciale.

Një pikë tjetër e këtij neni, pika shtatë, thotë se “Prokurori i Specializuar ka karakter me moral të lartë dhe zotëron nivelin më të lartë të aftësive dhe përvojës për zhvillimin e hetimeve dhe ndjekjeve penale të rasteve penale”.

Por, gjatë mandatit të parë të Smith vështirë të jetë dëshmuar “morali i lartë” dhe “zotërimi i aftësive”.

Smith përveç problemeve të tjera, në katër vjeçarin e parë të tij, do të mbahet mend edhe për skandalin e rrjedhjes së informacioneve nga Specialja.

Në shtatorin e vitit 2020 organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës filloi të mbajë seanca të jashtëzakonshme për media. Ata pritën mediat në selinë e tyre me një mal me dokumente në tavolinë.

Kur konferenca filloi treguan se dikush, ende i panjohur për ta, po u sjell dosje, të cilat pasi i kanë shfletuar kanë kuptuar se mund të jenë të Gjykatës Speciale.

Për këtë veprim – se ua prezantuan mediave dokumentet e rrjedhura nga Specialja – Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, kryetari dhe zëvendës-kryetari i OVL-së, janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim.

Por, asnjëherë nuk u nis një hetim se si ndodhi që rrodhën nga Specialja. Dokumentet kishin dalë nga dhoma e dëshmive të Prokurorisë në Speciale, por nuk u emërua asnjë fajtor.

Përveç kësaj, mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, në vazhdimësi e kanë akuzuar Prokurorinë se nuk ka dorëzuar të gjitha të gjeturat para gjykatës.

Si u emërua Jack Smith?

Smith befasisht e kishte zëvendësuar David Schvendimanin, Prokurorin e parë të Specializuar dhe më herët edhe Kryeprokuror i Task Forcës Hetimore Speciale.

Ai ishte prezantuar si prokuror me përvojë në hetime politike të rangut të lartë dhe hetime penale ndërkombëtare.

Siç thuhet edhe në njoftimin e Speciales, Smith u emërua Prokuror i Specializuar pas një procesi përzgjedhës të organizuar nga Bashkimi Evropian.

“Është nder dhe kënaqësi që më ofrohet kjo sfidë dhe jam i gatshëm t’i çoj hetimet më tej”, kishte thënë Smith.

Në kohën kur ishte emëruar Prokuror i Specializuar, Smith ishte nënkryetar dhe kreu i seksionit të padive i Korporatës Spitalore të SHBA-së, organizata shëndetësore joqeveritare më e madhe në Shtetet e Bashkuara, pozitë të cilin e kishte ushtruar që në shtatori 2017.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore