Shqipëria

SPAK ndan çështjen penale për të pandehurit e inceneratorit të Elbasanit


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake për të pandehurit e inceneratorit të Elbasanit.

Bëhet fjalë për ish-ministrin Lefter Koka, ish-deputetin socialist Alqi Bllako, Etleva Kondin, Jonida Zeqon, Pëllumb Abeshin, Bardhul Çabirin, Serafin Papan, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan.

Sipas njoftimit zyrtar të prokurorisë, më 9 dhjetor SPAK ka dërguar kërkesën për gjykim në gjyq në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).

Ndërkohë, për pretendimet të tjera të paraqitura nga kallëzuesit në këtë proçedim penal dhe për fakte dhe episode të tjera që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore, është vendosur ndarja e çështjes penale, shton SPAK.

Këto të fundit, vëren prokuroria, vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake.

Konkretisht, është vendosur ndarja e çështjes penale për rrethanat dhe faktet që lidhen me pretendimet se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin në proçedurën e kalimit per miratim në Këshillin e Ministrave të projekt vendimit të propozuar nga Ministria e Mjedisit.

Mbi bazën e këtij vendimi është miratuar më pas VKM-ja, që ka miratuar sigurimin e financimit të nevojshem të kontratës së konçensionit.

SPAK cilëson se rrethanat dhe faktet që lidhen me pretendimet se funksionarët e Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Drejtësisë, në kundërshtim me ligjin kanë kthyer përgjigje pozitive ndaj Ministrisë së Mjedisit.

Kjo, lidhur me zbatimin e proçedurës “negocim pa shpallje”, duke përfshirë edhe provat dhe dokumentet që janë gjetur dhe janë nxjerrë nga kompjuterat e sekuestruara në banesën e të pandehurit Klodian Zoto.

Mes rrethanave dhe fakteve të tjera përfshihen edhe mungesa e kontrollit në zbatimin e kontratës konçensionare, si dhe rrethanat që lidhen me pretendimet se është dhënë nëkundërshtim me ligjin miratimi për prodhimin e energjisë për shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k për një afat prej 25 vitesh.

SPAK liston edhe katër rrethana dhe fakte të tjera të cilat lidhen me bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm, fshehje e të ardhurave dhe mbylljen e venddepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park, Durrës.

Për faktet dhe rrethanat për të cilët është vendosur ndarja e çështjes penale, hetimet paraprake janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar, sqaron prokuroria.

Ajo bën me dije, se në përfundim të hetimeve paraprake do të informohet publiku për mënyrën e përfundimit të tyre.

Kërkesa për gjykim, thekson SPAK, është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale.

SPAK përfundon hetimet për inceneratorin e Elbasanit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore