Shqipëria

Soreca përshëndet ndihmën nga Evropa në luftën kundër zjarreve në Shqipëri


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, pasditen e 6 gushtit ka përshëndetur ndihmën që po i jepet nga Çekia dhe Holanda qeverisë shqiptare, në luftën kundër zjarreve në pyje.

“Ndërsa beteja kundër zjarreve në pyjet e Shqipërisë vazhdon, ekipi Evropian me solidaritet mbështet forcat shqiptare në luftën kundër zjarreve”, shkruan Soreca në median sociale Twitter.

Më tej Ambasadori Evropian, shkruan se sot kanë mbërritur helikopterët zjarrfikës nga Republika Çeke dhe Holanda. “I koordinuar dhe i bashkëfinancuar nga Mbrojtja Civile e BE-së dhe Ndihma Humanitare”.

Ndihma e Republikës Çeke

Më herët Ambasada e Republikës Çeke në Tiranë, bëri të ditur se ka mbërritur një helikopteri special për vënien nën kontroll të zjarreve.

“Jemi këtu të ndihmojmë miqtë tanë të luftojmë zjarret bashkë”, shkruhet më tej në njoftimin e ambasadës.

Ambasadori i çek në Shqipëri, Jarosvlav Ludva, në një deklaratë për mediat, pas mbërritjes së helikopteri, ka shprehur angazhimin e tij dhe të Republikës Çeke, në bashkëpunim me strukturat e BE-së.

Ai bëri të ditur se ditën e shtunë 7 gusht, do të fillojë puna e helikopterit të mbërritur.

Ludva, u shpreh se është përllogaritur për një javë qëndrimi i mjetit në Shqipëri, “por nuk përjashtohet zgjatja e afateve”.

“Kjo, në varësi të precipitimeve apo situatës së zjarreve në Vlorë”, u shpreh ai.

Shefi politik i delegacionit të BE-së në Shqipëri, Alexis Hupin, në vijim të deklaratave ka shtuar se pritet edhe mbërritja e dy helikopterëve holandezë.

Mbështetja nga Bashkimi Evropian

Nga situata e krijuar në të gjithë Mesdheun, por jo vetëm, shtetet e prekura nga zjarri kanë kërkuar dhe BE-së.

Paraditen e 4 gushtit komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič, njoftoi se “Komisioni Evropian është duke u mobilizuar për t’u ardhur në ndihmë vendeve në parandalimin e përhapjes së zjarreve dhe mbrojtjen e jetës”.

Kjo, në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

Sa i përket Shqipërisë, tre helikopterët (një nga Çekia dhe dy nga Holanda), së bashku me një ekip prej 47 ushtarakësh holandezë, mbërritën të premten e 6 gushtit. Nga nesër do të fillojnë operacionet.

Situata e zjarreve në Shqipëri

Në njoftimin më të fundit, nga ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, bëhet me dije se në këtë moment, nuk ka kërcënime në jetë dhe në banesa.

Sipas ministrit, vijon lufta me flakët. Peleshi shton se Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes civile, po punojnë për izolimin dhe neutralizimin e flakëve.

Karaburuni, Rips të Vlorës; Gadurove-Selite (Mallakastër), Thirë (Lezhë), Margegaj, Theth (Tropojë), Vërmosh (Malësi e Madhe), këto janë vatrat ende aktive në Shqipëri.

Beteja me vatrat e zjarrit është më shumë se 10 ditore. Kjo, mes përpjekjeve të autoriteteve për t’i vënë nën kontroll dhe rindezjes së tyre nga era.

Pesë banesa u dogjën më 5 gusht, në fshatin Gumenicё tё Vjetёr tё qytetit tё Vlorёs.

Gjithashtu rrezikohen banesa tё tjera, sipas autoriteteve lokale. Nё Gumenicë të Re janё djegur dy stane dhe disa bagëti.

Më 3 gusht, zjarri nuk kurseu as jetë njerëzish në Shqipëri. Në fshatin Asim Zeneli në Gjirokastër humbi jetë një i moshuar, ndërsa mbetën të asfiksuar 10 banorë të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore