Zgjedhjet në Shqipëri

Soreca pas takimit me Celibashin: 50 ekipe të BE-së monitorojnë qendrat e votimit


Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri, Luigi Soreca, deklaroi se në qender të diskutimit me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ishin zgjedhjet e 25 prillit.

“Së bashku me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, takuam sot Kryetarin e KQZ Ilirjan Celibashi, për të vlerësuar përgatitjen e përgjithshme përpara zgjedhjeve të së dielës”.

Gjithashtu Soreca përmendi dhe 50 ekipet e vendosura për të monituar qendrat e votimit.

“BE dhe shtetet e saj anëtare do të jenë të pranishme ditën e zgjedhjeve me 50 ekipe të vendosura në qendrat e votimit në të gjithë Shqipërinë”.

Soreca theksoi rëndësinë e ushtrimit të së drejtës së votës dhe integritetin e procesit të votimit dhe numërimit.

Në fund Soreca u bën thirrje partive politike të përmbahen dhe të shmangin dhunën dhe fjalët nxitëse në hapat e fundit të fushatës.

“BE-ja do të qëndrojë pranë popullit shqiptar ditën e zgjedhjeve”, përfundon postimi i Soreca-s në median sociale Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore