Zgjedhjet në Shqipëri

Kim-Soreca-Celibashi/ Pas takimit në KQZ, ambasadorja falenderon Ramën dhe Bashën


Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, kanë zhvilluar sot një takim me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Në fokus të diskutimeve ishin procesi zgjedhor, çështjet teknike që kanë të bëjnë me bazën materiale, por edhe politike.

Por, ajo që ra më së shumti në sy, ishte deklarata e Ambasadores Kim, ku falënderoi kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për qetësinë e treguar gjatë 24 orëve të fundit, mbi ngjarjet e ndodhura në Elbasan.

Kjo deklaratë a ambasadores, vjen një ditë pasi Presidenti i Republikës, Ilir Meta, literalisht u kërkonte shqiptarëve “t’i mbrehin sfurqet, kosoret e sëpatat”. Meta, la të paramenduar një imazh prej kasapi të një presidenti që flet për “prerje duarsh” të kryeministrit.

Por, pas ngjarjes, vetëm heshtje. Sepse heshtja është mundësia e vetme për të mos lejuar tradhtinë nga e pavetëdijshmja.
Askush nuk flet, sepse frika nga perceptimi publik ndaj asaj që do të thuhet kushton sa zgjedhjet. Heshtja është më e sigurt – më shumë se një jetë madje.
Por ambasadorja e SHBA-së, foli qartë, edhe për sa i përket rastit të Elbasanit. Kim e cilësoi mbrojtjen e votës me anë të grupimeve jo policore, si jashtë çdo standardi të vendeve të NATO-s.

“Gjërat e tmerrshme të së shkuarës duhet të marrin fund. Mbrojtja e votës nga njerëz të armatour duhet të marrë fund. Ky nuk është një veprim që bëhen në një vend të NATO-s. Këto duhet të mbeten në të shkuarën”, theksoi ambasadorja.

Ndërsa ajo foli edhe për një proces transparent zgjedhor.

“Ky është një proces qartësisht transparent. Autoritetet janë të qarta për mbrojtjen e votës. Miqtë tuaj ndërkombëtarë, janë këtu për t’u siguruar për këtë proces. ODIHR është këtu, ekspertët janë këtu dhe 25 ekipe nga ambasada e SHBA do të jetë në terren, përfshi mua. Do të jemi me ju gjatë votimit dhe gjatë numërimit, derisa vota të certifikohet”.

Soreca falenderon Celibashin, thirrje votuesve

Ndërkohë, Soreca u shpreh se kanë  diskutuar me Celibashin për përgatitjen e zgjedhjeve të 25 prillit.

“Komisioneri na tregoi për situatën, përgatitjen si dhe për përgatitjen për identifikim biometrik, votimin elektronik”.

Sipas ambasadorit një aspekt i rëndësishëm është edukimi i votuesve, zgjedhësve.

“Është bërë në mënyrë shumë të mirë, përgëzojmë komisionerin dhe zyrën e  tij, kemi dhënë mbështetje dhe do vazhdojmë të japim deklarata mbështetëse”.

Soreca theksoi se është e rëndësishme se çfarë do të ndodhë ditën e dielë në Shqipëri.

“Fjala ime e fundit është për partitë politike, për të theksuar atë thirrje që kemi bërë gjithmonë për vëtëpërmbajtje dhe të shmangni gjuhën e urrejtjes gjuhën konlfiktuale. Ndaj dilni e votoni në veçanti të rinjtë’, tha Soreca.

Komisioneri Celibashi ndërkaq, e vlerësoi si produktiv takimin.

“Njoftova ambasadoren Kim dhe ambasadorin Soreca, për masat e KQZ –së në kuadër të procesit, rëndësinë e këtij procesi dhe cilësinë e përgatitjes nga ana e KQZ-së”.

Ndër të tjera, ai theksoi se është cekur rëndësia e këtij procesi zgjedhor.

“Trajtuam të gjitha aspektet përgatitore të këtij procesi për të parë qartësisht cilësinë e këtyre përgatitjeve dhe gjithçka duhet të bëjë KQZ-ja”.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore