Shqipëria

Soreca: Lufta ndaj krimit të organizuar, prioritet i BE-së


“Lufta ndaj krimit të organizuar është prioritet kyç për aderimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Ky është qëndrimi i Ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. Ai ka promovuar një projekt kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

“Ky projekt është i rëndësishëm për t’i siguruar autoriteteve shqiptare ekspertizë teknike nga vendet anëtare të BE-së. Një ekip i vërtetë evropian”.

Programi me fonde të BE-së do të implementohet në Shqipëri nga Fondi Ndërkombëtar dhe Ibero-Amerikan i Administrimit dhe Politikave Publike (FIIAPP).

Ai do të ndihmojë kryesisht në forcimin e agjencive ligj-zbatuese. Zyrat e prokurorëve do të jenë gjithashtu të përfshira.

Ndihmëse në këtë program do të jenë qeveritë e Spanjës, Italisë dhe Holandës.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ishte i pranishëm në takim. Ai theksoi rëndësinë e këtij projekti si një nga prioritetet kryesore të ministrisë që ai drejton.

“Gjysma e këtij fondi do të shkojë vetëm për pajisjet e reja, mbi 2.4 milionë euro. Ky investim për modernizimin e infrastrukturës përmbush aspiratën kyçe për ta sofistikuar dhe rritur cilësisht punën e organeve ligj-zbatuese”, nënvizoi Çuçi.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka qenë një ndër kushtet kryesore për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Pikërisht për këtë arsye, u ngrit edhe Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (SPANK). Ky i fundit operon prej më shumë se një viti tashmë dhe ka marrë përgëzime nga ambasadorët e huaj në Shqipëri.

Ndër ta, edhe të ambasadorit Soreca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore