Shqipëria

Sopranoja Maria Sardaryan është fituese e festivalit ‘Marie Kraja’


Edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”, ka mbyllur siparin ku vendin e parë e ka zënë sopranoja nga Armenia, Maria Sardaryan.

Në festival morën pjesë 16 konkurrentë që garuan për të marrë çmimin që bart emrin e themelueses së operës shqiptare Marie Kraja.

Juria përbëhet nga Cecilia Gasdia, Manaxhere e Përgjithshme dhe Drejtore Artistike e Fondacionit “Arena di Verona”, Zana Çela, Themeluese e Festivalit Nderkombëtar Operistik “Marie Kraja”, Alessandro Ariosi, President i agjencisë “Ariosi Artists Management”, Los Angeles,  Kristoph Seuferle, Drejtor i Deutsche Operas së Berlinit, Tobias Hasan, Drejtor i Staatsoperas Unter Den Linden të Berlinit.

Festivali ishte konceptuar në formën e spektaklit. Në moderim ishte sopranoja e njohur Enkeleda Kamani që do të shoqërohet në prezantim nga gazetari dhe moderatori Blendi Salaj ndërsa Vikena Kamenica, përveçse anëtare jurie do të bashkohet për të komentuar performancat e finalistëve.

Këngëtarët lirikë konkurruan në dy disiplina: gara e arieve dhe ajo e këngës. Këngët lirike, më të njohurat dhe më të dashurat e repertorit botëror dhe shqiptar erdhën në formën e dueteve.

Përtej arieve klasike nga konkurrentët, publiku pati mundësi të sodisë edhe duete të artistëve të muzikës shqiptare, ku pjesë ishin emra si Eneda Tarifa, Elhaida Dani, Kamela Islamaj, Venera Lumani, Lind Islami, Era Rusi, Kejsi Tola dhe Enxhi Nasufi.

Edicioni i 20-të i Festivalit “Marie Kraja” kështu, ul siparin e suksesshëm dhe tregon vijimësinë e një tradite madhore tashmë në jetën operistike shqiptare, ndërthurur me atë evropiane e botërore, pasi konkurrentët ishin nga çdo cep i globit, prej SHBA-ve, deri në Australi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore