Sport

Smajlaj: Qëllimi im në Tokio është të arrij në finale


Atleti shqiptar, Izmir Smajlaj, ka folur për Eurolympic, median zyrtare të Komitetit Olimpik Europian, rreth pjesëmarrjes së tij në Lojërat Olimpike të Tokios 2020 (do të luhen këtë verë për shkak të Covid-19).

Smajlaj është i vetmi atletë shqiptar që ka fituar një kampionat të madh në atletikë, atë të Beogradit në 2017. Ai ka mbajtur 14 herë rekordin kombëtar për kërcimin më të gjatë.

Atleti ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Rios në Brazil në 2016 dhe tashmë po synon ato të Tokios 2020 (2021).

“Ishte dhe është gjithmonë një nder për mua të jem pjesë e një konkursi kaq të madh dhe fakti që do të marr pjesë në Tokio, kjo më ndihmon të arrijë shumë nga qëllimet që kam për karrierën time sportive”, tha Smajlaj për Eurolympic.

“Sigurishtë, kanë kaluar pesë vjet që nga Rio (ku ai doli i 21-ti) dhe tani unë jam më i përgatitur dhe më i sigurtë në atë që dua të arrij në këto Lojëra Olimpike”.

“Qëllimi im për Tokion është të arrij në finale dhe sigurisht, që pres një rezultat më të mirë personal. Mbase me pak fat edhe me një përfundim në podium”.

“Unë jam duke u stërvitur me trajnerin më të mirë të kërcimit së gjati, i cili gjithashtu është Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruji. Ai më jep forcë, mësime dhe mbështetje për të arritur rezultate edhe më të mira sesa rezultatet më të mira personale prej 8.11 metër”, shtoi Smajlaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore