Lajme

Skenderaji krijon fond për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga vërshimet


Foto nga kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

Komuna e Skenderajt ka krijuar fondin përmes të cilit do të ndihmohen familjet që kanë pësuar nga vërshimet.

Lajmin se një fond i tillë është krijuar e ka konfirmuar kryetari i komunës së Skenderajit, Fadil Nura.

“Pas zyrtarizmit të procedurave për Fondin Emergjent për Vërshimet, me krijimin e xhirollogarisë bankare, u bëj thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë, përfaqësuesve të bizneseve të mëdha e të mesme, bamirësve dhe të gjithë të tjerëve që kanë një mundësi të vogël, të na ndihmoni në rindërtimin e zonave të shkatërruara, rimëkëmbjen e familjeve të prekura nga kjo fatkeqësi dhe kthimin e jetës normale”.

Foto nga kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

Edhe nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar për krijimin e një fondi të kësaj komune përmes së cilit do të ndihmohen familjet e prekura nga vërshimet e fundit në vend.

Ai ka kërkuar nga qytetarët brenda dhe jashtë shtetit, bizneset e fondacionet e ndryshe që të kontribuojnë në këtë fond.

“Me qëllim të përballimit të situatës së rëndë që është krijuar pas vërshimeve në komunën tonë, lus të gjithë qytetarët brenda dhe jashtë vendit, bizneset, shoqatat bamirëse, fondacionet e gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që të kontribuojnë në këtë fond përmes të cilit do të ndihmohen familjet që kanë pësuar nga kjo fatkeqësi natyrore dhe do të bëhet rindërtimi i zonave të shkatërruara të Skenderajt”, ka shkruar Lushtaku.

Për shkak të vërshimeve, që ndodhën javën e kaluar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, akomodimi dhe furnizimi me ushqim kanë qenë kërkesat kryesore të qytetarëve të Mitrovicës dhe Skenderajt.

E dëmtuar nga vërshimet ka mbetur edhe komuna e Istogut, Klina, Peja, Gjakova dhe Podujeva.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një njoftimi kishte bërë të ditur se së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar rreth 20 pjesëtarë të FSK-së të cilët me kamion ushtarak dhe barkë lundruese, i’u kanë dalur në ndihmë banorëve të kësaj komune.

Situatë e ngjashme ka qenë edhe në fshatin Zupç të komunës së Zubin Potokut, ku rruga është e pakalueshme për shkak të rrëshqitjes së dheut.

Kurse, nga opozita është kërkuar që të krijohet themelimi i Fondit Emergjent nga Qeveria e Kosovës.

Aktualisht, situata më e rënduar është në pjesën perëndimore, veriperëndimore, dhe veriore të vendit, por duke pasur parasysh reshjet të cilat janë duke vazhduar aktualisht dhe ditët në vijim, mund të shkaktojnë probleme dhe vështirësi edhe në pjesët tjera të vendit, ka paralajmëruar Instituti Hidrometrologjik i Kosovës [IHMK].

IHMK-ja, po ashtu, shtoi se në ditët në vijim do të këtë situatë të vështirësuar hidrometrologjike.

Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.

Gjatë viteve të kaluara vazhdimisht është raportuar për dëme në shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.

“Një natë e tmerrshme”, me “dëme milionëshe” – Hamza e Nura flasin për natën e vërshimeve në Mitrovicë e Skenderaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore