Shqipëria

Skandali i spiunazhit në Shqipëri/ A mund t’i përdorë inteligjenca ruse blogger-ët?


Dy rusë dhe një ukrainas u arrestuan në Shqipëri më 20 gusht. Ata po tentonin të hynin në një fabrikë të vjetër ushtarake në qytetin e Gramshit.

Sipas autoriteteve shqiptare, të arrestuarit po përpiqeshin të filmonin fabrikën dhe njëri prej tyre, Mikhail Zorin, spërkati një substancë “neuroparalizuese” në fytyrën e një gardiani.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, zbuloi se të arrestuarit dyshohen për spiunazh.

Hetuesi i Bellingcat, Christo Grozev, sugjeroi gjithashtu se aktivitetet e grupit aq sa mund të jenë si fotografë amatorë aq janë edhe një mbulesë për një operacion rus të inteligjencës.

Më 24 gusht, gjykata e Elbasanit vendosi që të arrestuarit të mbeten në paraburgim.

Sipas gjyqtares, Pajtime Fetahu, pasi u shqyrtuan provat e Prokurorisë, Gjykata konstatoi se arrestimi ishte i ligjshëm dhe se akuzat bazoheshin në prova të bazuara.

Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur ndonjë informacion specifik për rastin.

Pasigurisë së kësaj situate i shtohet edhe fakti se Svetlana Timofeeva, një nga të arrestuarit, e njohur më mirë me pseudonimin Lana Sator, është me të vërtetë një blogger-e dhe fotografe e specializuar në “turizmin industrial”.

Kjo nënkupton filmimin e ndërtesave të braktisura, strehimoreve të bombave dhe instalimeve ushtarake.

Ajo që nga viti 2007 ka një blogg të saj, dhe përveç udhëtimeve nëpër botë, ka filmuar një sërë ndërtesash sekrete edhe në Rusi.

Për shembull, në dhjetor 2011, Timofeeva publikoi foto të uzinës Energomash – një nga objektet kryesore në botë për zhvillimin e motorëve të raketave që përdoren në automjetet e lëshimit në hapësirë.

Timofeeva publikoi gjithashtu foto mbi ndërtesat e shkreta të Akademisë së Forcave Strategjike pranë Kremlinit, bazat ajrore të braktisura jugosllave dhe bunkerët në Bjellorusi.

Në vitin 2018, në një intervistë për mediumin “Radio Evropa e Lirë”, ajo rrëfeu se “i pëlqen shumë të hetojë strehimoret me bomba dhe mbi temën e mbrojtjes civile në përgjithësi”.

Shoqja e Timofeeva, Anastasia K.. gjithashtu konfirmon se ajo është “një personalitet i njohur” midis gërmuesve që eksplorojnë dhe hulumtojnë vendet e braktisura dhe një udhëtim i tillë për të ishte krejt normal.

Megjithatë, gazetarët e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative konfirmuan se arrestimi i grupit lidhet me spiunazh.

Sipas fjalëve të tyre, anëtarët e tjerë të rrjetit të spiunazhit janë të lidhur drejtpërdrejt me Moskën.

Megjithatë, gazetarët nuk janë ende të përgatitur të japin komente të detajuara pasi nuk kanë të drejtë të zbulojnë detaje të tilla të hetimit.

Teorikisht, biografia e Timofeeva-s është në përputhje me këtë version të tregimit.

Ajo ishte padyshim një figurë publike dhe pas publikimit të fotove të saj në Energomash, Dmitry Rogozin, i cili në atë kohë ishte zëvendëskryeministër, i quajti blogger-ët “minj të pafytyrë me kamera” dhe kërcënoi se do të merrte masa hakmarrëse.

Sidoqoftë, asgjë nuk tregon se janë marrë masa represive kundër Timofeevës, ndërsa janë marrë masa shumë më të rrepta në lidhje me pjesëmarrësit e tjerë në filmime të ngjashme.

Për shembull, në vitin 2015, Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) arrestoi gërmues që kalonin pushimet në një objekt sekret, që shërbente si rrjet nëntokësor i bunkerëve, tuneleve dhe strehëve të bombave të Moskës.

Nisur nga kjo, ka mundësi që FSB-ja në një kohë t’i ketë ofruar Lana Satorit një zgjedhje: bashkëpunim në këmbim të lirisë, siç është bërë vazhdimisht me aktivistët e opozitës.

Ngjarja e fundit “e madhe” në këtë drejtim ishte ajo e refugjatit rus, Mikhail Sololov.

Si një aktivist i njohur në selinë e Aleksey Navalny në Udmurtia, në vitin 2021, së bashku me opozitarë të tjerë, Sololov iku në Gjeorgji.

Ai më pas iku në Holandë dhe pranoi në media se, për gjashtë vitet e fundit, kishte qenë një informator i FSB-së.

Sipas fjalëve të tij, shërbimet e inteligjencës ruse e kishin kërcënuar me burgim për shmangien e shërbimit ushtarak dhe propozuan bashkëpunim në vend të burgut.

Ish-anëtari i Partisë Libertariane të Rusisë, Vsevolod Osipov, tregoi më parë një histori të ngjashme.

Sipas Osipov-it, inteligjenca ruse e rekrutoi atë në 2021 dhe e dërgoi në Gjeorgji për të raportuar për emigrantët.

Kështu, nuk mund të përjashtohet që diçka e ngjashme ka ndodhur me Timofeevën.

Një tjetër burim shqiptar, i cili dëshiron të mbetet anonim, ka dhënë një version tjetër.

Sipas tij, një treg “hije” ekziston prej kohësh në Ballkan në të cilin porositen për fotografimin e vendeve të vështira për t’u arritur.

“Struktura të ndryshme janë të angazhuara në këtë, nga kriminelët te shërbimet e inteligjencës, por është shumë e vështirë të identifikohen klientë të veçantë, sepse zinxhiri i ndërmjetësve është shumë i gjatë”, shpjegoi bashkëbiseduesi.

Ai shtjelloi më tej se ata që përmbushin porositë shpesh nuk e njohin veten konsumatorin përfundimtar të informacionit.

Megjithatë, pavarësisht nëse Timofeeva ishte urdhëruar nga inteligjenca ruse për të bërë foto ose nëse ajo e dinte urdhrin e kujt po përmbushte, duhet të konsiderohet se inteligjenca ruse mund të përdorë gjithnjë e më shumë amatorët në operacionet e tyre.

Për shembull, ekspertët amerikanë dhe të huaj bien dakord se Maria Butina, e përcaktuar në vitin 2019 si agjente e huaj, nuk ishte një spiune profesioniste.

Ky ishte mendimi i ish-nënkolonelit të KGB-së, Akif Gasanov, i cili shërbeu për gati 15 vjet në inteligjencën sovjetike.

Ai mendon se Butina ishte një agjent i kundërzbulimit.

Gasanov mendon se FSB-ja dërgoi jo vetëm Butinën në Shtetet e Bashkuara, por edhe njerëz të tjerë të ngjashëm që kërkonin “fat të rastësishëm”, dhe kjo shpjegon stërvitjen e saj të dobët konspirative.

Në të vërtetë, avantazhet janë të shumta në përdorimin e njerëzve të zakonshëm për operacionet e inteligjencës.

Kur bëhet fjalë për figura të vërteta opozitare dhe blogger-e, është e vështirë të dallosh momentin kur rekrutohen njerëz të tillë.

Përveç kësaj, nëse kontakti me oficerët e rastit të tyre është në Rusi, mund të jetë e vështirë për shërbimet e inteligjencës perëndimore t’i identifikojnë ata me saktësi.

Sipas një raporti nga Henry Jackson Society, një institut britanik, vetë emigrantët rusë dyshojnë se një në dy nga bashkatdhetarët e tyre mund të jetë një informues, veçanërisht nëse këta njerëz udhëtojnë përsëri në Rusi rregullisht.

Megjithatë, ka disa anë negative të dukshme në punën me diletantët.

Njerëzit e zakonshëm priren të bëjnë gabime dhe të flasin shumë për aktivitetet e tyre.

Përveç kësaj, dështimet e amatorëve mbartin gjithashtu rrezikun e zbulimit të informacionit të rëndësishëm.

Zbulime të tilla mund të përfshijnë mënyrën se si funksionojnë shërbimet speciale, qëllimet e tyre, objektet e interesit dhe të identifikojnë gamën e njerëzve që kanë ndihmuar agjentët rusë.

Se a ka ndodhur kështu me Lana Satorin, koha do ta tregojë.

Marrë nga “

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore