Lajme

S’ka kuorum për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare


Kuvendi i Kosovës.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, s’ka pasur kuorum prandaj deputetët s’kanë arritur që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, kjo pasi në seancë ishin vetëm 65 deputetë – numër i pamjaftueshëm për t’i votuar ato.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u shpreh se s’ka ndonjë marrëveshje mes pozitës dhe opozitës që këto pika të vendosen në votim.

“Vetëm 65 deputetë jemi, nuk kemi mundësi të votojmë marrëveshjet ndërkombëtare. Nuk po shoh që kemi as mobilizim mes grupeve parlamentare që të votohen. Pa një marrëveshje mes pozitës e opozitës nuk ka mundësi që këto të votohen”.

“Mesa po e shoh prej gjendjes faktike nuk janë arritur këto bisedime. Prandaj i kalojmë gjitha këto marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë Konjufca.

“Kjo gjuhë që e përdori zonja Kusari-Lila është pafytyrësi”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, pas akuzave të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila, e cila deklaroi se opozita po sanksionon qytetarët e Kosovës, me mos-votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Me mos përfshirjen e kësaj marrëveshje qytetarët e Kosovës, po sanksionohen jo vetëm nga Bashkimi Evropian, por edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.

Pas kësaj, deklarate i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Gashi.

“Të thuash se deputetët e Kuvendit të Kosovës, po mbështesin sanksionet është poshtërim. Që 227 ditë, janë bërë që kur Kosova është në sanksione dhe kryeministri nuk del të flasë dhe ju vini këtu flisni palidhje, është poshtërim nga zonja Kusari-Lila, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje”.

Opozita, në seancën e së enjtes ka kundërshtuar që të diskutohet për projektin “Evropa Digjitale për periudhën 2021-2027”, kërkesë kjo që u bë nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, kjo pasi që sipas tyre përderisa Kosova vazhdon të jetë nën sanksione të Bashkimit Evropian diskutimet për këtë çështje janë të paarsyeshme.

Në fjalën e tij, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, u shpreh se propozimi i pushtetit për këtë çështje është “i palogjikshëm”.

Kërkesë e tij ishte që të diskutohet për pikat e tjera të rendit të ditës.

“Propozimi i rendit të ditës është i palogjikshëm, pasi i kemi 50 pika të rendit të ditës, e dyta është e paarsyeshme pasi që deputetët se kanë parë materialin, e treta është e panevojshme sepse do të jetë joefektive. Ju e dini që Kosova, është nën sanksione të Bashkimit Evropian, kot e miratojmë me procedurë të përshpejtuar kur kjo nuk do të zbatohet”.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, e vlerësoi projektin si shumë të rëndësishëm.

“Projekti Evropa Digjitale për periudhën 2021-2027, është një projekt shumë i rëndësishëm dhe do të ishim shumë me fat nëse si Kosovë, do të kishim mundësi të merrnim pjesë”.

Por, ngjashëm si shefi i AAK-së, ai tha se Kosova s’do të ketë mundësi të jetë pjesë e këtij projekti.

“Por, miratimi i kësaj marrëveshje është më se e kotë sepse Kosova ka sanksione dhe është e përjashtuar nga ky projekt, prandaj nuk e kuptoj pse ky projekt duhet të dal për miratim në Kuvend kur Kosova s’mund të jetë pjesë e këtij projekti kaq të rëndësishëm”, deklaroi ai.

Më 4 korrik, Kosova është sanksionuar nga Bashkimi Evropian për shkak të situatës së tensionuar në Veri.

Masat që u paralajmëruan për Kosovën, përveç se nga institucionet u konsideruan si “tejet të padrejta”, për profesorët e çështjeve ndërkombëtare u vlerësuan edhe “jashtëzakonisht të dëmshme”, pavarësisht nëse do të jenë për një periudhë të shkurtër apo afatgjate.

Nga sanksionet të cilat vijnë ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në Veri, njëra ndër më të rëndat rezulton të jetë “shqyrtimi i propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF)”.

Kornizë kjo e cila përmban investime në fushën e transportit, energjisë, mjedisit, kapitalit njerëzorë dhe bujqësisë.

Përmes këtij procesi bashkohen përfituesit donatorët dhe huamarrësit.

“Pafytyrësi, poshtërim” e quan opozita gjuhën e Kusari-Lilës, kundërshtohet miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore