Lajme

Dekonstruktim – cilat projekte saktësisht i humbi Kosova me sanksionet nga BE


Foto: Albanian Post.

Masat që u paralajmëruan për Kosovën, përveç se nga institucionet u konsideruan si “tejet të padrejta”, për profesorët e çështjeve ndërkombëtare janë edhe “jashtëzakonisht të dëmshme”, pavarësisht nëse do të jenë për një periudhë të shkurtër apo afatgjate.

Nga sanksionet të cilat vijnë ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në Veri, njëra ndër më të rëndat rezulton të jetë “shqyrtimi i propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF)”.

Kornizë kjo e cila përmban investime në fushën e transportit, energjisë, mjedisit, kapitalit njerëzorë dhe bujqësisë.

Përmes këtij procesi bashkohen përfituesit donatorët dhe huamarrësit.

Çka humb Kosova nga sanksionimi i “shqyrtimit të propozimeve të paraqitura në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF)”?

Njohësi dhe profesori i çështjeve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në një bisedë për Albanian Post sqaron se nga kjo kornizë për vetëm 11 vjet janë përfituar 198 milionë euro.

Tash me pamundësinë e marrjes së këtyre fondeve, shkaktohet një dëm jashtëzakonisht i madh, thotë ai.

“Ne ditën që është marrë vendimi i Bashkimit Evropian, për vendosjen e masave ndëshkuese Kosova veçse është përjashtuar nga korniza e investimit të Ballkanit Perëndimor që është paraparë të mbahet me 29 dhe 30 qershor”.

“Kosova, nga viti 2009-2021 nga kjo kornizë i ka përfituar gjithsej 198 milionë euro, pra është një humbje jashtëmase e madhe”.

Ilustrim.

Ai tutje sqaron se cilat sektorë do të mbeten më të anashkaluar për shkak të këtij ndikimi.

“Fushat në të cilat Kosova ka paraqitur propozimet janë në transport të qëndrueshëm, energji të pastër, mjedisi dhe klima, kapitali njerëzor, e ardhmja digjitale si dhe bujqësia aty ku përfshihet sektori privat. Pra, me të gjitha këto elemente Kosova për momentin është përjashtuar”.

Ndër të tjera, Arifi shton se edhe më e rëndë është përjashtimi nga mekanizmat e instrumentit të IPA 2024.

Pasi, përfitimi i Kosovës nga grantet e IPA-s ishte edhe më i madh sesa përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ajo çka është edhe më e rëndë është se jemi përjashtuar edhe nga mekanizmat e instrumentit të ndihmës para anëtarësimit IPA 2024. Që nga viti 2014 deri në vitin 2021, nga grantet e IPA-së Kosova ka përfituar 342 milionë euro”.

“Më të vërtetë është një humbje e madhe dhe një ndërprerje e këtyre proceseve do të ketë efekte negative për të ardhmen”, thotë Arifi për Albanian Post.

“Goditje gjithëpërfshirëse”

Edhe profesori universitar njëherësh edhe njohës i çështjeve ndërkombëtare, Dorajet Imeri, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post e sqaron se rëndësia e WBIF për Kosovën është e shumëfishtë.

Ai pohon se përmes këtij instrumenti bashkohen përfituesit, donatorët dhe huamarrësit.

“Fillimisht është e rëndësishme të dihet se Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), është një platformë unike dhe e suksesshme bashkëpunimi që i bashkon përfituesit, donatorët dhe huamarrësit për të përmirësuar harmonizimin dhe bashkëpunimin e investimeve për zhvillimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor”, thotë Imeri për AP.

Duke qenë se edhe sipas Imerit, ka shumë mbështetje në shumë fusha ai situatën aktuale e përshkruan si, “goditje gjithëpërfshirëse”.

“Kosova, paraprakisht ka fituar përmes këtij instrumenti mbështetje në fushën e politikave sociale ose energjetike, të cilat janë bartur si mbështetje financiare. Por, tani janë ndërprerë për shkak te masave sanksionuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian e që është goditje gjithëpërfshirëse”.

Përveç kësaj mase Kosovës i është anuluar pjesëmarrja edhe në stërvitjen ushtarake ‘Defender Europe 2023’ pas situatës së tensionuar në Veri të Kosovës, ku kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë nën asistimin e Policisë së Kosovës.

Cili është procesi për zbatimin e rekomandimeve të WBIF?

Kurse sipas profesorit universitar Sylë Ukshini, Kosova ka qenë përfituese më të drejta të barabarta në WBIF.

“Vlen të theksohet që Kosova është përfituese me të drejta të barabarta nga WBIF dhe Procesi i Berlinit, pa marrë parasysh faktin që 5 Shtete Anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

Ai sqaron edhe mënyrën se si shkon procesi për zbatimin e rekomandimeve të WBIF-së.

“Në përgjigje të politikave të BE-së, Qeveria e Kosovës në përputhje me rekomandimet e WBIF-së dhe Procesit të Berlinit në korrik 2015 pati themeluar Këshillin Kombëtar për Investime, i cili bashkë-kryesohet nga Ministria e Integrimit Evropian dhe Ministria e Financave si dhe një Sekretariat që është në shërbim të këtij Këshilli”, thotë ai për Albanian Post.

Se kjo kornizë është e një rëndësie të madhe për investimet në Kosovë nuk e mohon as Ukshini.

“Gjithsesi që si WBIF ashtu edhe Procesi i Berlinit janë në linjë me politikat e Komisionit Evropian për zgjerim dhe rrjedhimisht, të dy iniciativat mjetet financiare i kanë të siguruara nga buxheti i BE-së”.

“Dihet edhe që vija kryesore buxhetore e BE-së për Ballkanin Perëndimor është Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA). Ky instrument financiar është me rëndësi jetike për Kosovën”.

Çka po ndodh në Veri?

Situata u tensionua në Veri të Kosovës kur kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë nën asistimin e Policisë së Kosovës, më 26 maj.

Protestuesit serbë e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim, që nga 26 maji ata janë duke protestuar kundër këtij vendimi.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët, gjatë kësaj periudhe mbi 30 gazetarë janë sulmuar nga grupet kriminale të Serbisë.

Tre policë të Kosovës ishin kidnapuar të mërkurën e 14 qershorit  nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës, në një nga rrugët e veriut të vendit, që sipas Policisë, shfrytëzohej si rrugë ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë nga Serbia.

Situata në Veri më 31 maj.

Të njëjtit u liruan të hënën e 19 qershorit.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës, kishte thënë se kidnapimi i tyre është bërë në një pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare.

Sipas njoftimit, tre policët që ishin në detyrë në këtë pikë statike, kishin njoftuar bazën se kanë vërejtur persona të maskuar dhe armatosur. Kur në vendin e ngjarjes, sipas njoftimit, kanë arritur njësitet shtesë të Policisë, aty është gjetur vetura zyrtare, por jo edhe policët.

Lirimin e menjëhershëm të tre policëve e kishin kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar.

Pas këtij veprimi Kosova kishte shtrënguar masat e sigurisë në pikat kufitare, duke rritur kontrollin e mjeteve me targa të Serbisë.

Kjo shkaktoi bllokim e pritje të gjata në pikat kufitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore