Shqipëria

S’ka asnjë shans që komisioni hetimor për “McGonigal” të pranohet nga Rama


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka thënë prerazi se asnjë shans nuk ka, për të pranuar kërkesën e Partisë Demokratike, për të ngritur një komision hetimor lidhur me çështjen e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, i cili akuzohet në SHBA për lidhje me oligarkun rus, Oleg Deripaska dhe për falsifikim dokumentesh dhe deklarime të rreme.

Po ashtu, Rama, ka takuar disa herë McGonigal-in, gjë kjo që ka shtyrë opozitën të kërkojë llogari mbi rrethanat e takimit dhe të ngrejë akuza për korrupsion në nivele të larta.

Të gjitha këto, Rama i ka mohuar si implikime në çështje, duke pranuar thjesht se ka pasur takime më parë, të kërkuara nga McGonigal, kur ky i fundit ende kishte pozitën e zyrtarit të lartë të inteligjencës amerikane.

Teksa, mbi takimin e parë, ai ka rrëfyer se ka ndodhur në rrethana ku i pranishëm ka qenë biznesmeni Agron Neza, i cili e ka prezantuar me McGonigal-in dhe ky i fundit, i ka folur kryeministrit për influencën ruse në rajon dhe mënyrat si ajo mund të futet në Ballkanin Perëndimor.

Në themel, Neza dhe McGonigal kanë qenë bashkëthemelues të një kompanie ligjore në Shqipëri në vitin 2007, së bashku me dy shtetas të tjerë, një shqiptar dhe një amerikan.

E qartë nga ana e Ramës, është fakti se në aktakuzën ndaj ish-zyrtarit amerikan, ai vetë nuk përmendet si pjesë e skemës së korrupsionit.

Por, Rama thjesht përmendet si pjesë e narrativës së paraqitur nga organi hetues në SHBA, përpara jurisë.

Nga ana tjetër, kreu i Qeverisë ka folur edhe mbi situatën e krijuar me Partinë Demokratike, ku objekt kryesor është pjesëmarrja në zgjedhjet vendore të 14 majit dhe ndarja mes të djathtëve.

Një çështje me rëndësi është ajo e regjistrimit të PD-së nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke pasur ende dyshime se cila listë do të përfshihet nën logon e forcës së djathtë politike, parë edhe faktit se kauza mbetet ende në Apel, e pagjykuar.

Për këtë, Rama i ka idetë e qarta dhe sipas tij, e vetmja gjë e sigurt, është fakti se PD-ja “do të hajë një shpullë” nga votuesit, në vendoret e 14 majit 2023.

Një koment, ai e ka dhënë edhe për ish-zëvendëskryeministrin, Arben Ahmetaj, i cili është i përfolur se lidhet me çështjen e inceneratorëve, por ende nuk ndodhet nën akuzë.

Megjithatë, në rast se vërtetohen lidhjet e Ahmetajt me korrupsionin në nivele të larta, qëndrimi i Ramës është i qartë.

“Kam punuar me të për një periudhë të gjatë kohe dhe këto gjëra që dalin, qofshin të vërteta, më vjen shumë keq, por nuk e ndihmoj dot”, ka qartësuar ai.

Veçanërisht, ai përmendi edhe faktin se Qeveria që drejton dhe Partia Socialiste, e kanë në themel punën e sistemit të drejtësisë dhe nuk do të ndërhyjnë në hetime të tilla në asnjë instancë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore