Pajisje

“Situatë serioze, por asnjë sektor kritik nuk është prekur” nga hakerimi në Itali


“Lidhur me sulmin kibernetik që ndodhi në shkallë globale, takimi i mbajtur në Palazzo Chigi shërbeu për të verifikuar se pavarësisht nga serioziteti i incidentit, në Itali nuk u prek asnjë institucion apo kompani parësore që vepron në sektorë kritikë për sigurinë kombëtare”.

Kështu shkruhet në një shënim të nxjerrë pas takimit urgjent midis nënsekretarit përgjegjës për sigurinë kibernetike Alfredo Mantovano, me Roberto Baldoni, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike dhe Elisabetta Belloni, menaxhere e përgjithshme e Departamentit të Informacionit për sigurinë.

Ka të bëjë me “sulmin masiv ransomware”, për të cilin alarmi u ngrit nga Acn, të dielën e 5 shkurtit.

Sulmi kishte nisur prej të paktën tre ditësh, në shkallë globale, megjithëse sipas burimeve, ai përfshinte vetëm “disa mijëra serverë të komprometuar ”.

Në të u përfshi Italia së bashku me vende të tjera evropiane si Franca, vendi më i dëmtuar dhe Finlanda, por edhe Amerika e Veriut, me Kanadanë dhe SHBA-të.

Shënimi vazhdon, duke shpjeguar se si “gjatë aktiviteteve të para të zbulimit, nuk u shfaq asnjë provë që të çonte në agresion nga një ent shtetëror ose i ngjashëm me një shtet armiqësor”.

Përkundrazi, linte përshtypjen e një veprimi të kriminelëve kibernetikë që kërkojnë pagesë në këmbim të kthimit të të dhënave.

Ndaj është konfirmuar natyra ransomware e sulmit, pra një aktivitet hakerimi i lidhur me kërkesën e mëvonshme për një pagesë – të materializuar në këtë rast në dy bitcoin, ose rreth 42 mijë euro – për të liruar të dhënat e subjektit të sulmuar.

“Aktualisht po identifikojnë të gjitha subjektet potencialisht vulnerabël, për të kufizuar efektet negative që mund të lindin jo vetëm për sistemet e tyre IT, por edhe për popullatën””, vijon sqarimi.

Gjithashtu thuhet se “vetë agjencia do të krijojë një tryezë diskutimi periodike me të gjitha strukturat publike dhe private që ofrojnë shërbime kritike për kombin, duke filluar nga ministritë dhe institucionet e kreditit e të sigurimit”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore