Kosova

Situata në veri – Haradinaj e fton në interpelancë Kurtin, propozon edhe rezolutë


Ramush Haradinaj

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se i ka dërguar kërkesë kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që të thërras në interpelancë kryeministrin Albin Kurti, lidhur me situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Për kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vendimi i kreut të ekzekutivit që marrëveshjen për targat ta zbatojë me faza, “është skenari më i keq” duke shtuar se Kurti “i ka dhënë hapësirë Serbisë ta luaj rolin e viktimës dhe të ndërmarrë veprime anti-Kosovë”.

“Serbia me aleatët e saj ka krijuar një skenarë të destabilizimit të situatës në Kosovë duke urdhëruar përfaqësuesit serbë në institucionet shtetërore që t’i braktisin institucionet”, ka deklaruar Haradinaj në një konferencë për media.

Ndërkaq, ai i ka propozuar legjislativit edhe një rezolutë e cila përbëhet nga gjithsej katër pika dhe e cila sipas tij, nëse s’do të aprovohet, ka paralajmëruar se “do të shqyrtojmë masat e tjera”.

Rezoluta e propozuar:

1. Qeveria të marr vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshjen finale për njohje me Serbinë;

3. Qeveria të nisë komunikimin intensiv me faktorët relevantë në vend, përfshirë opozitën, si nevojë e daljes nga gjendja e krijuar;

4. Të kërkohet një samit në SHBA, takim disaditorë deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje Kosovë-Serbi.

Ndryshe, kreu i AAK-së, kishte lëshuar takimin ku ishte i ftuar të fliste rreth situatës në pjesën veriore me kryeministrin Kurti.

Pasi doli nga objekti i Qeverisë, Haradinaj shkroi në Facebook se u detyrua ta lëshojë takimin pasi sipas tij, Kurti po mbante ligjërata e nuk po sqaronte “pse i ka prishur raportet me Amerikën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore