Shqipëria

Situata e tensionuar në veriun e Kosovës u përfshi në samitin e NATO-s


Edhe pse situata e tensionuar në veriun e Kosovës nuk pritej të ishte në agjendën zyrtare të samitit dyditor në Vilnius, u diskutua rëndësia e pranisë së KFOR-it në Kosovë dhe siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Fillimisht, një gjë të tillë e pohoi kryeministri shqiptar Edi Rama, gjatë Forumit Publik të NATO-s në bashkëbisedimin me Rachel Rizzo, anëtare e lartë jorezidente në Këshillin Atlantik.

Kreu i Qeverisë konfirmoi se presidenti i Shteteve të Bashkuara e preku problemin e sigurisë së Ballkanit Perëndimor gjatë fjalimit të tij në Këshillin e NATO-s.

“Më ngushëllon fakti që Presidenti Biden në fjalimin e tij në Këshill e preku këtë pikë, sepse problemi i sigurisë së Ballkanit Perëndimor në ditët e sotme mund të mos jetë në të njëjtën përmasa me problemin e madh të Ukrainës, por nuk është aq i vogël sa të trajtohet si i parëndësishëm”, tha fillimisht Rama.

Konfirmimi i Ramës: Biden e trajtoi problemin e sigurisë së Ballkanit Perëndimor në Këshillin e NATO-s

Sipas, kreut të Qeverisë, ajo që po ndodh është vërtet shqetësuese, posaçërisht kohët e fundit, “ku veriu i Kosovës është bërë një pikë shumë e nxehtë dhe kërcënimi i konfliktit bëhet gjithnjë e më i dukshëm”.

“Përderisa dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka të bëjë me dy palët, Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që lidhet me krijimin e grupeve ekstreme në veri të Kosovës”, shtoi ai.

Kryeqeveritari u takua gjithashtu me delegacionin e Senatorëve Amerikanë në Samitin e NATO-s në Vilnius për të folur mbi situatën në Veriun e Kosovës.

“Me delegacionin e Senatorëve Amerikanë në Samitin e NATO-s, në një takim të kërkuar prej tyre nisur nga shqetësimi për situatën në Veriun e Kosovës dhe qasjen jo-konstruktive të palëve, e cila ka çuar në një përshkallëzim të rrezikshëm që duhet ndalur një orë e më parë, për t’u kthyer në tryezën e Dialogut duke finalizuar Marrëveshjen e Normalizimit”, shkruan ai.

Në këtë takim morën pjesë dhe kryediplomatja Olta Xhaçka, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, dhe drejtuesja e Shërbimit Informativ (SHISH), Vlora Hyseni.

Samiti i NATO-s: Delegacioni i Senatorëve Amerikanë takohet me Ramën për situatën në Veriun e Kosovës

Konkluzionet e Samitit

Udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s, pas përmbylljes së ditës së parë të Samitit në Vilnius të Lituanisë publikuan një deklaratë të përbashkët.

Ndër rreshta ata bënë thirrje për qetësimin e situatës në veriun e Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe u bëjmë thirrje palëve të shfrytëzojnë momentin dhe të angazhohen me mirëbesim drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike”, thuhet në deklaratën e krerëve të shteteve të NATO-s.

Krerët e Aleancës së Atlantikut u bënë thirrje të dyja palëve që menjëherë të “de-përshkallëzojnë situatën, t’i kthehen dialogut dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të arritur së fundmi në Bruksel (27 shkurt) dhe Ohër (18 mars)”.

Samiti i NATO-s në Vilnius – Shtetet anëtare bëjnë thirrje për de-eskalim të situatës në veri dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Ndër të tjera, thuhet se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR), do të vazhdojë të ofrojë një mjedis të sigurt dhe lirinë së lëvizjes për të gjithë qytetarët në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Udhëheqësit e shteteve anëtare gjithashtu dënuan dhunën në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe sulmet e paprovokuara të protestuesve serbë që shkaktuan lëndime serioze ndaj ushtarëve të KFOR-it, ndërsa thuhet se forcimi i marrëdhënieve mes NATO-s dhe Serbisë do të ishte në dobi të të gjithë rajonit.

“Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, siç theksohet nga historia jonë e gjatë e bashkëpunimit dhe operacioneve. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor duke mbështetur reformat që avancojnë aspiratat përkatëse për NATO dhe BE të vendeve në rajon”, theksohej po ashtu në konkluzionet e samitit.

Situata me Ukrainën

Shtetet e NATO-s kanë thënë se Ukraina mund t’i bashkohet aleancës ushtarake “kur aleatët bien dakord dhe të plotësohen kushtet”.

Kjo, pasi presidenti Volodymyr Zelensky kritikoi vonesën “absurde” të pranimit.

Në një komunikatë, NATO tha se e njeh nevojën për të ecur më shpejt, por nuk do të përcaktohej në një kornizë kohore.

Më parë, Zelensky tha se dukej se nuk kishte “gatishmëri” për ta ftuar Ukrainën në NATO ose për ta bërë atë anëtare.

Kiev-i pranon se nuk mund të bashkohet me NATO-n ndërsa është në luftë me Rusinë, por dëshiron të bashkohet sa më shpejt që të jetë e mundur pas përfundimit të luftimeve.

Në një konferencë të martën pasdite, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleatët kishin riafirmuar se Ukraina do të bëhej anëtare e NATO-s dhe kishin rënë dakord të heqin dorë nga nevoja procedurale për një plan veprimi formal të anëtarësimit.

Stoltenberg zbulon vendimin e NATO-s me tre elementë në lidhje me Ukrainën

“Kjo do të ndryshojë rrugën e anëtarësimit të Ukrainës nga një proces me dy hapa në një proces me një hap”, tha ai.

Por Zelensky shkroi në Twitter se mungesa e një afati kohor të rënë dakord do të thoshte se anëtarësimi eventual i vendit të tij mund të bëhej një mjet negocimi.

“Po lihet një dritare mundësie për të negociuar anëtarësimin e Ukrainës në NATO në negociatat me Rusinë. Pasiguria është dobësi”, tha ai.

Komentet e tij pasojnë mosmarrëveshjen midis anëtarëve të NATO-s për anëtarësimin e Ukrainës.

Disa kanë frikë se anëtarësimi pothuajse automatik i Ukrainës do t’i jepte Rusisë një nxitje për të përshkallëzuar dhe zgjatur luftën që rezulton nga pushtimi i saj në shkallë të plotë të fqinjit të saj jugor.

Në komunikatën e saj, NATO tha se Ukraina ishte bërë “gjithnjë e më shumë e ndërveprueshme dhe e integruar politikisht me aleancën” dhe gjithashtu kishte bërë përparim në reforma.

Shtetet anëtare do të mbështesin reformat e mëtejshme, tha ai.

Stoltenberg do të takohet me Zelensky-in në takimin inaugurues të Këshillit NATO-Ukrainë të mërkurën.

Një seri paketash ushtarake u njoftuan gjithashtu në samit të martën.

Një koalicion prej 11 kombesh do të fillojë trajnimin e pilotëve ukrainas për të fluturuar me avionë luftarakë F-16 në një qendër që do të ngrihet në Rumani në gusht, thanë zyrtarët.

Formohet koalicioni me 11 shtete për trajnimin e F-16 për Ukrainën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore