Shqipëria

Konfirmimi i Ramës: Biden e trajtoi problemin e sigurisë së Ballkanit Perëndimor në Këshillin e NATO-s


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama konfirmoi se presidenti i Shteteve të Bashkuara e preku problemin e sigurisë së Ballkanit Perëndimor gjatë fjalimit të tij në Këshillin e NATO-s.

Lajmi u bë i ditur gjatë Forumit Publik të NATO-s në bashkëbisedimin me Rachel Rizzo, anëtare e lartë jorezidente në Këshillin Atlantik.

“Më ngushëllon fakti që Presidenti Biden në fjalimin e tij në Këshill e preku këtë pikë, sepse problemi i sigurisë së Ballkanit Perëndimor në ditët e sotme mund të mos jetë në të njëjtën përmasa me problemin e madh të Ukrainës, por nuk është aq i vogël sa të trajtohet si i parëndësishëm”, tha fillimisht Rama.

Sipas, kreut të Qeverisë, ajo që po ndodh është vërtet shqetësuese, posaçërisht kohët e fundit, “ku veriu i Kosovës është bërë një pikë shumë e nxehtë dhe kërcënimi i konfliktit bëhet gjithnjë e më i dukshëm”.

“Përderisa dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka të bëjë me dy palët, Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që lidhet me krijimin e grupeve ekstreme në veri të Kosovës”, shtoi ai.

Rama deklaroi më herët se është shumë e natyrshme për Shqipërinë që të investojë më shumë në mbrojtje.

Kjo, si efekt i drejtpërdrejtë i asaj që po ndodh në Ukrainë.

“Mendoj se ka një synim të plotë për të vazhduar dhe mbështetur Ukrainën pa u lëkundur dhe të gjithë duket se janë të përkushtuar të investojnë më shumë në mbrojtje, që është edhe efekti i drejtpërdrejtë i asaj që po ndodh në Ukrainë. Për ne është shumë e natyrshme sepse mësuam në mënyrën më të vështirë vlerat si liria dhe demokracia në jetën e një vendi. Ne u privuam prej tyre për kaq shumë vite dhe në metodën më brutale që është parë ndonjëherë brenda Perandorisë Komuniste”, theksoi kryeministri shqiptar.

Rama mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Vilnius-it të hënën për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s.

Kreu i Qeverisë e ka cilësuar vendimtar samitin që po mbahet në kryeqytetin e Lituanisë.

Rama u shpreh se në këtë samit, do të rikonfirmojë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, sigurinë e aleatëve në krahun lindor, luftën e drejtë të popullit ukrainas dhe vetë nevojën për stabilitet dhe fokus në Ballkanin Perëndimor.

Ai shtoi se Shqipëria është e gatshme të angazhojë trupa shtesë për të forcuar praninë përpara të NATO-s dhe se angazhohet për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të PBB-së.

“Edhe pse nuk jemi ndër anëtarët e pasur të NATO-s, ne besojmë se objektivi prej 2% është dyshemeja dhe jo tavani i angazhimit tonë”, shkruan numri një i Qeverisë.

Numri i aleatëve të NATO-s që shpenzojnë të paktën 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për shpenzimet ushtarake pritet të rritet këtë vit, sipas aleancës.

Kësaj shifre, Shqipëria po i afrohet duke shkuar në 1.76 për qind të PBB-së së dedikuar vetëm për mbrojtjen.

Përditësimi i fundit nga aleanca vëren se autoritetet shqiptare kanë rritur në 259 milionë dollarë shpenzimet për mbrojtjen nga 150 milionë dollarë që ishte në vitin 2014.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore