Kosova

“Situata e sigurisë në Kosovë”, temë diskutimi mes deputetëve të Kosovës dhe delegacionit gjerman


Komisioni për Punë të jashtme dhe Diasporë dhe delegacioni i Grupit të Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë.

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, të premten është takuar me delegacionin e grupit të Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë, ku është diskutuar për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, por me theks të veçantë për Kosovën.

Kryetarja e Komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hasani, vlerësoi para gazetarëve mbështetjen që u është ofruar nga deputetët gjermanë.

“Ideja e tyre është të takohen me deputetë të shtetit të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar për zhvillimet aktuale dhe ideja është që të sigurohet rregullimi i krijimit të stabilitetit dhe paqes për shtetet që janë pjesë e Ballkanit Perëndimor”.

“Kemi diskutuar për situatën aktuale në të cilën është Republika e Kosovës dhe më vjen mirë që dëgjuam nga përfaqësuesit e Gjermanisë për mbështetjen e madhe që do të na ofrojnë”.

Më 8 shkurt, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar me deputetët e Bundestagut gjermanë, ku ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, të cilët diskutuan për sulmin në Banjë të Zveçanit dhe ia shprehën Bislimit shqetësimin për arsenalin e gjetur.

“Më tej u cekën dhe tema si arritja e liberalizimit të vizave, bashkëpunimi rajonal, procesi i dialogut dhe akti i agresionit të Banjskës. Mbi këtë të fundit, deputetët Josip Juratovic dhe Thomas Hacker, përgëzuan Policinë e Kosovës për reagimin e matur dhe shfaqën shqetësimin për arsenalin e madh të armatimit të gjetur”.

“Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi përsëri deputetët për vizitën si dhe për bisedën e zhvilluar dhe pikëpamjet e ndara”, thuhet në njoftim.

Edhe Bislimi, i falënderoi deputetët gjermanë për vizitën në Kosovë, duke shprehur mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në shtetndërtimin e Kosovës, progresin dhe zhvillimin e vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore