Biznes

Singapore-i kundër Hong Kong-ut në betejën e qendrave të Azisë


Hong Kong-u ka humbur terren ndaj rivalit rajonal Singapore-it.

Kështu rezulton sipas një analize të “Financial Times” të çmimeve të pasurive të paluajtshme, trafikut ajror dhe treguesve të tjerë.

Çka ka ravijëzuar sfidën me të cilën përballet territori kinez teksa rihapet me botën pas viteve të kontrolleve pandemike.

Javët e fundit, John Lee ka nisur një fushatë për të bindur botën se pavarësisht COVID-it dhe një goditje brutale të sigurisë, territori kinez nuk është vetëm i hapur për biznes, por mbetet qendra kryesore financiare e Azisë.

Por të dhënat tregojnë se Hong Kong-u pagoi një çmim për kufizimet dhe karantinat e tij të ashpra pandemike, ndërsa Singapore-i pati fitime.

Rëndësia rajonale e Hong Kong-ut është rrënjosur nga vendndodhja në pragun e Kinës kontinentale. Qyteti sapo është rihapur për turistët pas tre vitesh në të cilat shumë linja ajrore ndërkombëtare ndaluan shërbimet e tyre.

Në të kundërt, Singapore-i ishte një nga vendet e para në Azi që rihapi kufijtë e tij gjatë pandemisë. Vitin e kaluar, Hong Kong-u humbi pozicionin e tij si aeroporti më i ngarkuar i rajonit ndaj Singapore-it.

Më shumë avionë kanë mbërritur në Singapore sesa në Hong Kong çdo muaj që nga janari 2022, tregojnë statistikat e fluturimeve.

Mbërritjet në Singapore tani kanë arritur në 70 për qind të niveleve para pandemisë, ndërsa ato në Hong Kong janë pak më shumë se gjysma e asaj që ishin përpara pandemisë.

Pavarësisht rihapjes, mungesat e rënda të fuqisë punëtore në Hong Kong po pengojnë kthimin e plotë të rrugëve.

“Aeroporti është shumë më i ngarkuar, por është ende në një fraksion para COVID-it”, ka thënë Kristian Odebjer, kryetar i Dhomës Suedeze të Tregtisë në Hong Kong. “Ka pengesa serioze sa i përket stafit tokësor. Unë mendoj se kjo po e pengon Hong Kong-un”.

Shtypja e liderit kinez Xi Jinping ndaj sipërmarrësve të teknologjisë ka rritur tërheqjen e Singapore-it si një destinacion për elitat e pasura dhe fondet e tyre.

Që nga mesi i vitit 2021, depozitat në valutë të Singapore-it janë rritur me më shumë se 100 miliardë dollarë, tregon një analizë e të dhënave bankare të “Financial Times”, ndërsa depozitat në dollarë në Singapore mbeten të qëndrueshme.

Depozitat në bankat e Hong Kong-ut janë zvogëluar që nga fillimi i vitit 2022, duke u ndalur vetëm në nëntor pasi qyteti kinez hoqi kufizimet e karantinës.

Perceptimet se Pekini ishte gjithnjë e më shumë kundër biznesit dhe pasurisë private ishte “arsyeja kryesore për migrimin e miliarderëve kinezë nga kontinenti ose Hong Kong-u në Singapor dhe vende të tjera”, ka thënë Zhiwu Chen, profesor i financës në Universitetin e Hong Kong-ut.

Është e vështirë të përcaktohet sasia e numrit të njerëzve që kanë lëvizur nga Hong Kong-u në Singapore dhe bankat mbeten ngurruese për të thënë se sa staf u zhvendos atje gjatë kulmit të pandemisë.

Disa ishin zgjeruar në Singapor edhe para pandemisë, veçanërisht pas futjes së një ligji të ri të ashpër të sigurisë në Hong Kong në vitin 2020 pas protestave dhe trazirave.

BlackRock dyfishoi madhësinë e zyrës së saj në Singapore në vitin 2022, ndërsa Wells Fargo zhvendosi qendrën e saj aziatike nga Hong Kong-u në Singapore një vit më parë.

E gjithë kjo ka kontribuar në rritjen e çmimeve të qirave në Singapore me 40 për qind në tremujorin e katërt të vitit të kaluar nga e njëjta periudhë e dy viteve më parë.

Po ashtu ka ndikuar edhe në kërkesën për hapësira për zyra. Nivelet e vendeve të lira të zyrës së klasit A në qendër të qytetit të Singapore-it qëndruan në 2.3 për qind në fund të vitit të kaluar krahasuar me 11.1 për qind në Hong Kong.

Afërsia e Hong Kong-ut me Kinën mbetet një tërheqje e madhe për investitorët. Për sa i përket aktivitetit të tregut të kapitalit, Hong Kong-u është ende shumë përpara Singapore-it, me qarkullim të bursës dhe kapitalizimin e tregut më shumë se shtatë herë më të madh se rivali i tij.

Në industrinë e menaxhimit të aseteve dhe shërbimeve këshillimore, Singapore-i po e mbyll me shpejtësi hendekun me Hong Kong-un.

Në vitin 2021, aktivet nën menaxhim të Singapore-it u rritën 16 për qind në katër trilionë dollarë, ndërsa ato të Hong Kong-ut u rritën me vetëm 2 për qind në 4.6 trilionë dollarë

Me hapjen e Hong Kong-ut dhe braktisjen e politikës zero-COVID nga Kina, FMN ka parashikuar që Hong Kong-u të rritet me 3.9 për qind në vitin 2023, më shpejt se 2.3 për qind e Singapore-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore