Lajme

Sindikata kërkon dënim për sulmuesit e Policëve në Protestën e PSD-së


Protesta kundër shtrenjtimit teë energjisë elektrike, para Qeverisë së Kosovës

Për lëndimin e tre zyrtarëve policorë, në protestën e organizuar këtë të shtunë nga PSD kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, Sindikata e Policisë ka kërkuar dënim për personat që shkaktuan këto lëndime.

Imer Zeqiri, Kryetar i Sindikatës së Policisë, ka reaguar duke kërkuar nga organet e drejtësisë që menjëherë të veprojnë sipas procedurave ligjore dhe të gjithë ata që i kanë sulmuar zyrtarët policor të hetohen zyrtarisht.

“Policia e Kosovës, në përputhje me autorizimet ligjore ka monitoruar situatën me qëllim të sigurisë të të gjithë pjesëmarrësve dhe rendit publik. Gjatë kësaj proteste përveç hedhjes së mjeteve të ndryshme nga protestuesit, në mënyrë poshtëruese fizikisht sulmohen zyrtarët policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare me që rast lëndohen tre zyrtar policor”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Policisë.

“Njëri nga zyrtarët policor sulmohet, duke u goditur me shuplakë në fytyrë”.

“Ky sulm shihet shumë qartë në video incizimet e kamerave, prandaj kërkojmë nga organet e drejtësisë që menjëherë të veprojnë sipas procedurave ligjore dhe të gjithë ata që i kanë sulmuar zyrtarët policor të hetohen zyrtarisht”.

“Sindikata e Policisë konsideron se sulmi i ushtruar ndaj Policisë është sulm ndaj Shtetit të Kosovës, prandaj Prokuroria dhe Gjykata duhet të reagojnë menjëherë duke respektuar parimin ligjor ‘askush mbi ligjin’”.

Sindikata e Policisë ka njoftuar se do të monitorojë të gjitha reagimet e organeve të drejtësisë dhe do të mbrojë zyrtarët policorë në çdo rrethanë dhe moment që ndodh padrejtësi ndaj tyre.

Tre zyrtarë policor janë lënduar të shtunën në protestën e organizuar nga PSD kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Disa nga pjesëmarrësit kanë shpërfillur urdhërata e zyrtarëve policor, të cilët përtej hedhjes së gjësendeve të ndryshme, me veprimet dhe sjelljet e tyre u kanë shkaktuar lëndime të lehta tre zyrtarëve policor që ishin në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin për medie të Policisë së Kosovës.

Në këtë njoftim, Policia bën të ditur se si institucion, ka ushtruar kompetencën e saj dhe përgjatë gjithë kohës sa ka zgjatur protesta.

“Policia ka monitoruar situatën me qëllim të ruajtjes së nivelit të sigurisë dhe krijimit të rrethanave të përshtatshme dhe të sigurta për pjesëmarrësit në manifestim si dhe mbarëvajtjen e manifestimit, por pa u cenuar cilësia e jetës për pjesën tjetër qytetare, jo pjesëmarrëse”.

Mes tjerash, policia po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen përderisa po koordinon veprimet me mekanizmat e tjerë për zbatim të ligjit, duke iniciuar edhe një hetim për rastin “Sulm ndaj personit zyrtar në kryeje të detyrës zyrtare”.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka konfirmuar se në protestën e së shtunës e cila u organizuar nga PSD për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, kanë marrë pjesë rreth 3000 protestues.

“Polici e dhunshme dhe joprofesionale”, ka shkruar në reagimin publik zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, pas njoftimit të Policisë së Kosovës se tre zyrtarë  nga ky institucion u lënduan gjatë protestës së organizuar nga kjo parti kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Qeveri qe nuk përfaqëson”, vazhdon më tek Kuçi në llogarinë e saj në Facebook.

“Shkallet e ndërtesës së Qeverisë nuk ka pse të mbrohen. Hapësira i takon qytetarit. Objektet janë të burokratëve të bllokuar, hapësira është e qytetarëve të lirë. Ajo duhet të jetë e lirë, në secilën protestë pavarësisht kush e organizon. Taktikat selektive përbejnë diskriminim”, shkruan në reagimin e saj Kuçi.

Nuk ka kush që e frenon fuqinë e drejtësisë së njerëzve të angazhuar, shkruar Kuçi.

Gjatë protestës të së shtunës për shtrenjtimin e rrymës përpara Qeverisë së Kosovës, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj e ka goditur me shuplakë në fytyrë një pjesëtar të Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore