Lajme

Sindikata e Shëndetësisë paralajmëron grevë shkaku i Ligjit të Pagave


Ilustrim

Më 25 nëntor, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës do të mbajnë grevë të përgjithshme një ditore, për të kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ftohen në grupin punues për Projektligjin për Pagat.

Përmes një njoftimi për media thuhet se Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka kërkuar takim me shefin e ekzekutivit, Albin Kurtin, dhe ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.

“Deri atëherë Këshilli Drejtues i FSSHK-së kërkon: 1.Takim urgjent me Kryeministrin e Republikës së Kosovës. 2. Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Xhelal Sfeçla i kërkon urgjentisht t’i ftoj Sindikatat në grupin punues për Projektligjin e Pagave, dhe 3. Këshilli Drejtues i FSSHK-së kërkon takim urgjent me Ministrin e ri të Shëndetësisë Dr.Rifat Latifi”, thuhet në njoftim.

Protesta e Federatë së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës

Tutje thuhet se qëllimi i këtyre takimeve është që Projektligji për Pagat të hartohet në bashkëpunim me Sindikatat dhe faktorët të tjerë dhe të shkojë sa më parë në Parlament dhe njëjti të fillojë së implementuari nga viti 2022.

“FSSHK-së paralajmëron se Grevat dhe veprimet të tjera sindikale do të jenë të vazhdueshme nëse Qeveria dhe instancat tjera relevante nuk reflektojnë”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, më tetë nëntor, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, kishte protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, të cilët kishin kërkuar rregullimin e gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësor përmes procedimit të Projektligjit për Pagat në sektorin publik dhe implementimin e tij, nga janari i vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore