Lajme

Sindikata e Policisë kërkon të ndalet dhuna ndaj zyrtarëve të saj


Policia e Kosovës.

Sindikata e Policisë së Kosovës, përmes një njoftimi për media e ka dënuar ashpër sulmin e fundit ndaj zyrtarëve policorë dhe ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse, që sa më shpejtë t’i japin epilog këtij rasti.

“Sindikata dënon ashpër këto sulme dhe çdo sulm ndaj zyrtarëve policorë, që janë në krye të detyrës. Kërkojmë nga qytetarët e vendit që Policia e Kosovës të përkrahët në punën e tyre, si në luftën kundër krimit dhe në detyrat e jashtëzakonshme me rrezik edhe për jetën e tyre dhe të çdo qytetari në Republikës e Kosovës”.

Policia, për rastin e fundit ka kërkuar që të merren masa ndaj personave që kanë kryer këtë akt.

“Ne edhe një herë kërkojmë nga organet kompetente që të marrë masa ndaj personave te papërgjegjshëm, të cilët lënduan policët në krye të detyrës”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës në Veri të Mitrovicës.

Aksioni i cili nisi në orët e hershme të së mërkurës, për dallim nga vendet tjera, në Mitrovicën e Veriut hasi në rezistencë.

Me dhjetëra qytetarë serb u mblodhën në afërsi të një barnatore në të cilën Policia po konfiskonte mallrat e kontrabanduara dhe po kërkonte pronarin, i cili ishte i njohur për veprimtarinë kriminele tek organet e rendit.

Serbët sulmuan Policët duke hedhur në drejtim të tyre, gurë, mjete piroteknike e granata luftarake të dorës. U raportua edhe për të shtëna me armë zjarri.

Nga këto sulme, mbetën të lënduar 10 zyrtar policor të njësive speciale, në mesin e tyre edhe komandanti i Njësisë Speciale Operative, Besart Ahmeti.

Ky i fundit është lënduar nga granata e dorës, nga e cila ka pësuar lëndime në kokë, në qafë dhe në vesh. Kolegët e tjerë janë lënduar në ekstremitete, duar e këmbë.

Ahmeti bashkë me zyrtarët tjerë policor, ndihmën e parë mjekësore e kanë marrë në emergjencën e Mitrovicës së Jugut, më pas është dërguar në QKUK në Prishtinë.

Pas trajtimeve ë marra ai është liruar në shtëpi, por copëzat e granatës i ka ende në kokë, për heqjen e të cilave mjekët do të intervenojnë pas një kohe.

Më 13 tetor, pjesëtar të Policisë së Kosovës janë sulmuar nga qytetarë të mllefosur gjatë aksionit që policia ndërmori kundër kontrabandës së mallrave atje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore