Lajme

Sindikalistët në takim me presidenten Osmani


Foto nga Greva: Albanian Post.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të shtunën i ka ftuar në takim përfaqësuesit e sindikatave dhe të qeverisë me qëllim të gjetjes së një zgjidhje sa më të shpejt rreth përfundimit të grevave dhe fillimit të procesit mësimor.

Këtë e ka konfirmuar sekretari i Sindikatës së Bashkuar, Arsimit dhe Shkencës, Ymer Ymeri.

“Ne jemi të angazhuar maksimalisht që kushdo që mundet ta bëjë një hap pozitiv drejt dialogut. Uroj që presidentja t’i shohë palët të barabarta. Po shpresojmë që ajo të kontribuojë që dialogu i mirëfilltë të fillojë. Kemi shpresa te ajo që do të bëjë ndonjë hap pozitiv”, ka thënë Ymeri, për Radio Televizionin e Kosovës.

Në këtë takim do të këtë përpjekje për të gjetur ndonjë zgjidhje për situatën aktuale të mësimdhënësve në grevë.

Takimi pritet të mbahet në orën 15:00.

Në një konferencë për media të mërkurën, ministri i Financave Hekuran Murati ka theksuar se ka një shpërputhje të madhe në raportet e auditimit të sindikatave sidomos asaj të SBASHK-ut, dhe mu për këtë arsye ai ka ftuar prokurorinë që të hetojë një gjë të tillë.

Sipas Muratit, SBASHK-ut i derdhen në llogari mjete financiare nga 25 mijë e 78 mësimdhënësve që paguajnë 2 deri në 3 euro për anëtarësi për muaj. Ai tha se për vitin 2017 diskrepanca financiare është 330 mijë euro, pasi sipas tij në llogarinë e SBAShK-ut janë derdhur 550 mijë e 317 euro e 60 cent, ndërsa SBAShK-u i ka deklaruar vetëm 220 mijë e 136 euro e 54 cent.

Shpërputhje në raportet e auditimit sipas Muratit ka pasur edhe në vitet 2018 dhe 2019.

Sindikata e Arsimit dhe sektorët tjerë publikë janë duke kërkuar 100 euro shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore