Kosova

Murati: Shkaku i grevës në sektorin publik, bëhet ekzekutimi i pjesshëm i pagave


Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media ka bërë të ditur se ekzekutimi i pagave në sektorin publik është bërë pjesërisht, për shkak të vonesave në procesimin e listave të grevistëve.

Murati, të mërkurën ka njoftuar se ekzekutimi i pagave ju është bërë vetëm për një pjesë të organizatave buxhetore, pra pagat në këtë rast janë procesuar vetëm atyre organizatave buxhetore që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave të përditësuara.

“Siç e dini greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajit gusht, ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga grevat, për këtë arsye kemi kërkuar përditësimin e listave të grevistëve ashtu që të respektohet neni 18.1 të ligjit për grevat”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Mirëpo meqenëse përditësimi i listave të pagave nuk ka arritur të ndodh me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohen edhe me pagat e tyre në ditën e sotme”, ka shtuar ai.

Sipas Muratit, gjithë në këtë mes është e padrejtë të shkohet me ndalesë uniforme të pagës.

“Kemi dashur të kërkojmë nga komunat të na njoftojnë për vullnetin e lirë të pjesëmarrësve, nëse kanë marrë pjesë në grevë apo jo. Nisur nga këto ne kemi parë të nevojshme dhe të arsyeshme që të shikojmë ato lista, prandaj nuk kemi arritur që të procedojmë me pagesën e pagave në ditën e sotme”, ka thënë Murati.

Ai ka shtuar se pagat do të dalin vetëm për ditët që konsiderohet që të punësuarit s’kanë qenë në grevë.

“Paga do të duhej të ishte rreth 90 euro më pak për secilin pjesëmarrës në grevë sepse llogaritet se ka punuar për 24 ditë të muajit gusht”, ka shtuar ai.

Murati ka mohuar se dikasteri të cilën ai e drejton ka kërkuar nga komunat listën e grevistëve.

“Sa i përket listave të grevistëve, ne kemi kërkuar që të na paraqitet lista e atyre që janë duke punuar, pra kush është në vendin e punës duhet të lajmërohen. Nuk është kërkuar listë e grevistëve sepse ne tashmë e kemi. Janë mbi 25 mijë persona që janë me SBAShK-un”.

Ministri i Financave ka akuzuar SBASHK-un se po manipulon me numrin e grevistëve.

“Nëse nisemi nga deklaratat e SBAShK-ut, ku thuhet se të gjithë të anëtarësuarit janë në grevë, atëherë do të duheshin që të gjithë ata të pezulloheshin nga pagat. Një pjesë e tyre kanë dalë në vendin e punës, një pjesë e tyre janë në pushim kolektiv dhe jo në grevë, ka pasur shumë që hapur janë deklaruar kundër grevës”.

Sipas Muratit SBAShK-u nuk e ka mbështetjen e prindërve dhe mësimdhënësve sa i përket grevës.

“Ne po shohim se nuk e kanë mbështetjen, as të prindërve dhe as të mësimdhënësve, sepse ata e dinë se greva fillimisht i dëmton nxënësit dhe dëmton financiarisht edhe vetë mësimdhënësit. Jam i bindur se nesër të gjithë mësimdhënësit do të jenë në vendin e tyre të punës e jo ashtu siç është deklaruar nga SBAShK-u”, tha Murati.

Murati fton Prokurorinë të hetojë SBASHK-un, ka një shpërputhje të madhe në raportet e auditimit

Në një konferencë për media të mërkurën, Murati ka theksuar se ka një shpërputhje të madhe në raportet e auditimit të sindikatave sidomos asaj të SBASHK-ut, dhe mu për këtë arsye ai ka ftuar prokurorinë që të hetojë një gjë të tillë.

Sipas Muratit, SBASHK-ut i derdhen në llogari mjete financiare nga 25 mijë e 78 mësimdhënësve që paguajnë 2 deri në 3 euro për anëtarësi për muaj. Ai tha se për vitin 2017 diskrepanca financiare është 330 mijë euro, pasi sipas tij në llogarinë e SBAShK-ut janë derdhur 550 mijë e 317 euro e 60 cent, ndërsa SBAShK-u i ka deklaruar vetëm 220 mijë e 136 euro e 54 cent.

Shpërputhje në raportet e auditimit sipas Muratit ka pasur edhe në vitet 2018 dhe 2019.

“Në vitin 2018, diskrepanca është 353 mijë euro, të deklaruara më pak sesa janë derdhur në llogarinë e SBASHK-ut”.

“Në vitin 2019, ka 371 mijë euro më pak të deklaruara në raportin financiar si të hyra nga anëtarësia sesa që janë derdhur në llogarinë e SBASHK-ut dhe për këtë ftoj organet e rendit që edhe të hetojnë se nëse më të vërtetë që është siç po thonë ata se kanë paguar pushime apo trajnime të mësimdhënësve”, është shprehur Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore