Lajme

Sinani ndalohet përsëri në kufi: Kjo është Serbia për pakicat kombëtare


Ardita Sinani

Ardita Sinani, këshilltare politike për Luginën e Preshevës në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, ka njoftuar se në mbrëmjen e së hënës është ndaluar nga policia serbe në pikën kufitare në Muçibabë, kjo hera e dytë brenda të së njëjtës ditë.

Përmes një postimi në Facebook, Sinani tha se “mbrëmë rreth orës 21:00 në vendkalimin e njëjtë kufitar me Republikën e Kosovës, Muçibabë, përsëri u ndalova nga policia kufitare serbe”, duke shtuar se kjo ka ndodhur “për herë të dytë brenda të njëjtës ditë”.

“Jo vetëm duke e lëshuar Serbinë, por edhe duke hyrë. Këtë herë periudha kohore ishte më e shkurtër se në orët e mëngjesit të djeshëm”, tregon ajo.

Ish-kryetarja e Preshevës pohon se edhe ndalesa e dytë nga autoriteteve serbe ishte e njëjtë, pa asnjë sqarim e arsyetim, “thjeshtë ndalesë!”.

“Kjo është Serbia me të cilën si shqiptarë të Luginës së Preshevës ballafaqohemi çdo ditë. Kjo është Serbia për pakicat kombëtare”, përfundon ajo.

Ndryshe, edhe në mesditën e së hënës Ardita Sinani, kishte njoftuar ishte ndaluar për mbi një orë nga policia kufitare serbe, në vendkalimin kufitar në Muçibabë –  20 kilometra nga Gjilani dhe 15 kilometra nga Presheva.

Ajo tregonte se nuk kishte pranuar asnjë sqarim shtesë lidhur me masën e ndalimit, përvec arsyetimit të policëve se “kemi urdhër për ndalimin tuaj dhe nuk mund të të lejojmë ta kalosh kufirin pa marrë pëlqim nga baza”, por ajo thoshte se ndalimi i saj ka të bëjë për qëllime politike.

“Kjo mbase mund të jetë kostoja e të qënurit Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, por sigurisht nuk do të jetë mjeti me të cilin do të heshtet zëri për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka shkruar Sinani në llogarinë e saj, të hënën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore