Aplikacione

Siguria kibernetike është shqetësimi kryesor, sipas fondit norvegjez të naftës


Siguria kibernetike ka eklipsuar tregjet e trazuara financiare si shqetësim për fondin më të madh të pasurisë sovrane në botë.

E gjitha pasi përballet mesatarisht me tre sulme “serioze” kibernetike çdo ditë.

Numri i përpjekjeve të hakerimit kundër fondit të naftës norvegjeze prej 1.2 trilion dollarësh, Norges Bank Investment Management, është dyfishuar në dy deri në tre vitet e fundit.

Kështu ka bërë me dije shefi ekzekutiv Nicolai Tangen.

Javën e kaluar fondi raportoi humbjen më të madhe të dollarit në gjysmën e vitit pasi frika e inflacionit dhe recesionit tronditi tregjet.

Por pësoi afro 100 mijë sulme kibernetike në vit, nga të cilat klasifikon më shumë se një mijë si serioze, sipas drejtuesve të lartë të tij.

“Jam i shqetësuar për sigurinë kibernetike më shumë sesa për tregjet”, ka thënë Tangen.

Madje, drejtuesit kryesorë të fondit janë të shqetësuar se sulmet e bashkërenduara kibernetike po bëhen një rrezik financiar sistemik, teksa tregjet po digjitalizohen gjithnjë e më shumë.

Muajt e fundit, sulmet kibernetike që synojnë industrinë financiare janë rritur ndjeshëm.

Sulmet malware globalisht u rritën 11 për qind në gjysmën e parë të vitit 2022, por ato u dyfishuan në banka dhe institucione financiare.

Sulmet ransomware ranë 23 për qind në mbarë botën, por u rritën me 243 për qind kundër objektivave financiarë në të njëjtën periudhë.

Sakaq, autorët mund të variojnë nga grupet private kriminale deri te hakerat e mbështetur nga shteti. Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut janë mbështetësit më aktivë të shtetit të agresionit kibernetik.

Një ekspert i sigurisë kibernetike që këshillon një fond të pasurisë sovrane ka treguar se “peizazhi i kërcënimit për grupe të tilla është masiv”.

Në industrinë financiare, dobësitë e bankave, bursave dhe infrastrukturës thelbësore financiare kanë qenë fokusi kryesor i agjencive të sigurisë kombëtare.

Megjithatë, drejtuesit e kompanive të investimeve janë të shqetësuar për sigurinë kibernetike vitet e fundit, me disa paralajmërime se rreziqet janë nënvlerësuar dhe kostot në rritje të mbrojtjes kundër sulmeve.

Në rajonin nordik, tensionet në rritje me Rusinë pas pushtimit të Ukrainës kanë rritur rreziqet në sferën digjitale.

Analistët kanë theksuar një rritje të sulmeve kibernetike pas pushtimit rus të Ukrainës dhe kanë paralajmëruar se “industritë kritike në SHBA janë në gatishmëri të lartë, veçanërisht sektorët e energjisë dhe financiarë, për mundësinë e sulmeve hakmarrëse teksa sanksionet perëndimore rëndojnë mbi ekonomia ruse”.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore