Lajme

Si po përshtatet gjuha e shenjave me termat rreth ndryshimeve klimatike?


Për fëmijët, mësuesit dhe shkencëtarët që nuk dëgjojnë, të flasësh për gazrat serë ose gjurmët e karbonit do të thotë të drejtosh terma të gjatë dhe komplekse shkencore, shkronjë për shkronjë.

Këto janë tani ndër 200 termat e shkencës mjedisore që kanë shenjat e tyre të reja zyrtare në gjuhën britanike të shenjave (BSL).

Ekspertët e gjuhës së shenjave që qëndrojnë pas përditësimit shpresojnë se fjalori i ri do të bëjë të mundur që personat e shurdhër të marrin pjesë plotësisht në diskutimet rreth ndryshimeve klimatike, qoftë në laboratorin shkencor apo në klasë.

“Ne po përpiqemi të krijojmë shenjat perfekte që vizualizojnë konceptet shkencore”, ka treguar Audrey Cameron.

Cameron, e cila është thellësisht e shurdhër, drejton projektin e gjuhës së shenjave në Universitetin e Edinburgut, i cili sapo ka shtuar termat e rinj në fjalorin BSL.

Në karrierën e saj shkencore, mungesa e fjalorit nënkuptonte se ajo ishte e përjashtuar nga takimet dhe bisedat e rëndësishme.

“Unë kam qenë e përfshirë në kërkime për 11 vjet dhe kam shkuar në takime të shumta, por kurrë nuk jam përfshirë me të vërtetë sepse nuk mund të kuptoja se çfarë po thoshin njerëzit”, ka thënë ajo.

Projekti i fjalorit shkencor, i financuar pjesërisht nga Shoqëria Mbretërore, ka nisur që nga viti 2007 dhe ka shtuar rreth 7 mijë shenja të reja në BSL.

Duke përshkruar procesin me të cilin zhvillohen shenjat, Cameron ka treguar se shkencëtarët marrin “një listë termash nga kurrikula e shkollës dhe më pas punojnë së bashku për të gjetur diçka të saktë, por edhe kuptimplotë vizualisht”.

Shenjat më të reja kanë tematikë rreth biodiversitetit, ekosistemeve, mjedisit fizik dhe ndotjes.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore