Lajme

Si do të jetë pasaporta e vaksinimit në Evropë


“Imuniteti i tufës nga koronavirusi pritet të arrihet nga mesi i korrikut”.

Ky është parashikimi i Thierry Breton, komisionerit të BE për tregun e brendshëm dhe shefit të task forcës për vaksinat.

Duke folur për radion franceze RTL, Breton gjithashtu tha që me “siguri, 360 milionë doza” të vaksinës Covid do të shpërndahen në Evropë në fund të tremujorit të tretë dhe mbi 420 milionë në mes të korrikut. Numra këto “të nevojshëm për të filluar për të folur për imunitet kolektiv”.

Por mbi të gjitha, është pasaporta shëndetësore e vaksinimit ajo për të cilën Bashkimi Evropian po synon për të arritur një rihapje të sigurt.

Mendohet që kjo pasaportë do të jetë në dispozicion nga data e 15 qershorit.

Komisioneri Breton tregoi gjithashtu se si do të duket certifikata shëndetësore.

Në prototipat e treguar në TV, versioni i smartphone-it është në një sfond të verdhë, ndërsa versioni në letër është në një sfond të gjelbër.

E pajisur me një «kod QR», certifikata do të tregojë «llojin e vaksinës së marrë», «nëse keni qenë bartës i sëmundjes» dhe «nëse keni antitrupa».

Ky dokument mund të kërkohet për të marrë një aeroplan, për të marrë pjesë në një “ngjarje të rëndësishme” ose për të hyrë në një vend publik, por nuk është i detyrueshëm, specifikoi komisioneri.

“Në të njëjtën kohë, ne jemi duke zhvilluar aftësinë për të kryer analiza të shpejta të antigjenit”, tha Breton, duke shpjeguar se në mungesë të një çertifikate, do të kërkohet një test negativ Covid-19.

Qëllimi, shpjegoi Komisioneri Evropian, është ai i “rifitimit të aftësisë për të jetuar së bashku pa qenë një rrezik” dhe “patur aftësinë për të rihapur aktivitetet”.

“Pasaporta e vaksinimit do të jetë një mjet për rihapjen e rregullt. Parlamenti Evropian do ta votojë atë më 26 prill” deklaroi Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, i intervistuar nga gazetarja italiane, Lucia Annunziata.

” Qëllimi është të vaksinohen 70% e qytetarëve evropianë deri në verë, edhe nëse është e vështirë”, tha më tej Sassoli në intervistën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore