Sport

Si do të funksionojë VAR-i në Kosovë? Agim Ademi flet për Albanian Post


Agim Ademi, kryetar i FFK-së

Sistemi VAR tashmë edhe zyrtarisht ka filluar të përdoret në futbollin kosovar.

Ai për herë të parë ishte prezent në ndeshjen e Superkupës së Kosovës, që u zhvillua mes Prishtinës dhe Llapit.

Para ndeshjes, ishte i pranishëm kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili bëri inaugurimin e sistemit VAR në Kosovë, pajisjet e të cilit ishin të vendosura në një furgon pranë stadiumit “Fadil Vokrri”.

Por, a do të ketë dhoma të VAR-it nëpër stadiumet në Kosovë, apo do të përdoret furgoni ashtu siç u përdor në ndeshjen e së martës, këtë e ka treguar për Albanian Post, i pari i FFK-së, Agim Ademi.

“Te ne është VAR-i mobil, i cili do të shkojë te secili stadium komplet me pajisjet, ashtu siç ishte në ndeshjen e Superkupës. Është i njëjti VAR ashtu siç përdoret në gjithë Evropën dhe Botën, pasi që është licencuar nga FIFA”, tha Agim Ademi për Albanin Post.

Sipas Ademit, sistemi VAR do të përdoret në ndeshjet e Superligës, në tetë stadiume të Kosovës i cili do të përbëhet nga nëntë operatorë dhe 53 gjyqtarë, që janë të licencuar nga FIFA.

“VAR fillimisht do të jetë prezent në të gjitha ndeshjet e Superligës. Në Ligën e Parë nuk është instaluar, por do të mundohemi që sa më parë ta bëjmë edhe këtë. Edhe në ligat më të forta, VAR-i fillimisht është instaluar në Ligat A” theksoi kryetari i FFK-së.

Kujtojmë që Kosova është shteti i parë në rajon, i cili do të implementojë teknologjinë e VAR-it në futboll, derisa ky është projekti më i madh i FFK-së, që pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore