Lajme

Si dështoi njësia 8200 e inteligjencës izraelite ndaj Hamas-it


Njësia e inteligjencës së sinjaleve 8200 e ushtrisë izraelite ndaloi së dëgjuari radio marrëset e operativëve të Hamasit në Gaza një vit më parë, sepse u pa si një “humbje kohe”.

Kështu shkruan “The New York Times”, në një raport të gjerë mbi dështimet e inteligjencës izraelite që mundësuan masakrën e 7 tetorit.

Gazeta gjithashtu thotë se agjencitë amerikane të spiunazhit kishin ndalur kryesisht mbledhjen e informacionit për Hamasin në vitet e fundit, duke besuar se Izraeli kishte frenuar kërcënimin nga grupi terrorist.

“Ishte ora 3 e mëngjesit të 7 tetorit dhe Ronen Bar, kreu i shërbimit të brendshëm të sigurisë së Izraelit, ende nuk mund të përcaktonte nëse ajo që po shihte ishte vetëm një tjetër stërvitje ushtarake e Hamasit”, shkruan NYT-ja fillimisht.

Në selinë e shërbimit të tij, Shin Bet, zyrtarët kishin kaluar orë të tëra duke monitoruar aktivitetin e Hamasit në Rripin e Gazës, i cili ishte jashtëzakonisht aktiv për mesnatën.

Zyrtarët izraelitë të inteligjencës dhe sigurisë kombëtare, të cilët e kishin bindur veten se Hamasi nuk kishte interes për të shkuar në luftë, fillimisht supozuan se ishte vetëm një stërvitje gjatë natës, tregon botimi amerikan.

Gjykimi i tyre atë natë mund të kishte qenë ndryshe nëse do të dëgjonin trafikun në radio marrëset e militantëve të Hamasit.

Me kalimin e kohës atë natë, Bar mendoi se Hamasi mund të tentonte një sulm në shkallë të vogël.

Ai diskutoi shqetësimet e tij me gjeneralët më të lartë të Izraelit dhe urdhëroi ekipin “Tequila” – një grup forcash elitare kundër terrorizmit – të vendoseshin në kufirin jugor të Izraelit.

Pothuajse në pikënisje të sulmit, askush nuk besonte se situata ishte mjaft serioze për të zgjuar kryeministrin Benjamin Netanyahu, sipas tre zyrtarëve izraelitë të mbrojtjes.

Brenda pak orësh, trupat e Tequila-s u përfshinë në një betejë me mijëra njerëz të armatosur të Hamasit, të cilët depërtuan në gardhin e kufirit të Izraelit, kaluan me shpejtësi me kamionë dhe motoçikleta në Izraelin jugor dhe sulmuan fshatrat dhe bazat ushtarake.

Forca më e fuqishme ushtarake në Lindjen e Mesme jo vetëm që kishte nënvlerësuar plotësisht përmasat e sulmit, por kishte dështuar plotësisht në përpjekjet e saj për mbledhjen e inteligjencës, kryesisht për shkak të mendjemadhësisë dhe supozimit të gabuar se Hamasi ishte një kërcënim i frenuar, raporton “New York Times”.

Pavarësisht nga aftësitë e sofistikuara teknologjike të Izraelit në spiunazh, personat e armatosur të Hamasit i ishin nënshtruar një trajnimi të gjerë për sulmin, praktikisht të pazbuluar për të paktën një vit.

Luftëtarët, të cilët ishin të ndarë në njësi të ndryshme me qëllime specifike, kishin informacion të përpiktë mbi bazat ushtarake të Izraelit dhe planin e kibucit.

Ndjenja dikur e pamposhtur e sigurisë e vendit u shkatërrua, ravijëzon gazeta amerikane në artikullin e saj të zgjeruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore