Lajme

Shtrenjtimi sërish i rrymës sjell “krizë të re” në Kosovë


Foto nga Albanian Post

Paralajmërimet e rritjes së energjisë elektrike kanë ngjallur shqetësimin për një krizë të re në Kosovë.

Pos rritjes së çmimeve në të gjitha produktet, rritjen e tatimit, tani ka rritje të sërishme të energjisë.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, në një bisedë për Albanian Post, thotë se kjo rritje po bëhet pa e dhënë asnjë arsyetim.

“Pika e parë është se nuk kanë dhënë asnjë arsyetim për rritjen e sërishme të çmimit të rrymës. Çdo shtrenjtim i mallrave, shërbimeve i atyre që janë të domosdoshme për jetë të qytetarëve në këto kushte kur nuk ka rritje të pagave është ngarkesë shtesë e standardeve edhe ashtu shumë të ulëta të kosovarëve”, thotë Shatri për AP.

Ai deklaron se kjo është një “ngufatje” tjetër për qytetarët.

“Ky veprim nuk është i duhur, është shumë i gabuar. Këta po i shterojnë të gjitha gjerat, e kanë rritur koeficientin e tatimit në pronë, çmimet e mallrave të konsumit të përditshëm po rriten çdo ditë, tash kur të rrisin sërish çmimin e rrymës për qytetarët është ngufatje”.

“Në vendet demokratike kur shtrenjtohet 2 cent bileta e tramvajit ose ndonjë shërbim publik, ngritën i madh e i vogël edhe pse e kanë standardin shumë ma të lartë dhe është një reagim qytetar, do thotë civilizues, në bazë të ligjit të drejt të reagojnë, të protestojnë. Në këtë formë i stopojnë vendimet që janë në dëm të popullit”.

Edhe profesori i Ekonomisë, Nagip Skenderi, në një bisede për Albanian Post thotë se ky paralajmërim ka krijuar “panik” tek të gjithë qytetarët e të gjitha shtresave.

“Paralajmërimi nga ana e ZRRE-së, për shtrenjtimin e energjisë elektrike nga muaji i ardhshëm ka krijuar panik tek qytetarët e të gjitha shtresave në Kosovë, sepse kjo mund të shkaktoj një rritje zingjirore tek të gjithë artikujt ushqimorë dhe tek të gjitha shërbimet”.

“Këtu më së shumti mund të preken sidomos grupet e margjinalizuara të shoqërisë, pensionistët, familjet në asistencë social, familjet e varfëra, ata që janë me paga të ulëta”.

Përveç qytetarëve të prekur do të jenë edhe bizneset e sektori privat.

“Bizneset do të detyrohen që të rrisin koston e produkteve dhe shërbimeve në treg për të mbijetuar ekonomikisht”, thotë Skenderi për AP.

Sipas tij, Qeveria në heshtje është duke i miratuar vendimet e bordit të ZRRE-së dhe KEDS-it.

“Nuk janë qytetarët fajtorë për mosaftësinë e Qeverisë dhe institucioneve tjera shtetërore, ZRRE-së dhe KEDS-it, që nuk janë në gjendje të inkasojnë pagesat e serbëve që jetojnë në Republikën e Kosovës për rrymën e shpenzuar dhe tash në të paguajmë për shpenzimin e energjisë nga ana e tyre”.

Në muajin shkurt Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE), njoftoi se është duke shqyrtuar një kërkesë të jashtëzakonshme për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, të bërë nga Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, muajin janar.

Nga ZRRE-ja është thënë se vazhdojnë të jenë në “në shqyrtim të kërkesës”, për rritjen e çmimit të rrymës.

Kurse, KEDS-I e ka justifikuar kërkesën për rritje të tarifave të energjisë elektrike me rritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1 mijë e 300 megavate në orë.

Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë.

Nga muaji shtator i vitit 2022, Qeveria e Kosovës, i ka subvencionuar të gjithë qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, kishte thënë se nga këto subvencione, kanë përfituar mbi 200 mijë familje.

Kurse nga ekzekutivi ishte bërë thirrje që nga viti 2022 ndaj qytetarëve që ta kursejnë rrymën, për shkak të krizës globale energjetike, të cilën e ka thelluar lufta e Rusisë në Ukrainë.

Teksa nuk kanë ofruar asnjë garanci se do të ketë furnizim të rregullt me rrymë gjatë dimrit, kur nevoja për ngrohje rritet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore