Shqipëria

Shtim i veprave penale me 7.5% për vitin 2021 në Shqipëri


Është evidentuar se veprat penale për vitin 2021 janë 7,5 % më shumë krahasuar me vitin 2020. Ndryshe 35 mijë e 175 gjithsej.

Në raport me popullsinë, në vitin 2021 janë evidentuar 125,1 vepra penale për 10 mijë banorë, nga 115,4 që ishin në vitin 2020.

Rritja është vënë re te dhuna në familje, krime në fushën e drogës, shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, vrasje me dashje, mashtrime dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën.

Kurse pjesa tjetër e veprave penale ka pësuar rënie, referuar raportit të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

Vepra penale të evidentuara
Autorë të veprave penale

Në vitin 2021, janë regjistruar 39 mijë e 328 autorë për vepër penale, 4,0 % më pak, krahasuar me vitin 2020.

Numri i autorëve, sipas veprave penale, përfshin numrin e personave të dyshuar, të cilët mund të jenë të pranishëm në më shumë se një vepër penale dhe autori numërohet në të gjitha veprat ku është i dyshuar.

Sakaq, numri i autorëve pa përsëritje në veprat penale, në vitin 2021 është 35 mijë e 745 autorë, 1,5 % më shumë, krahasuar me vitin 2020.

Autorë për vepër penale

Meshkujt përbëjnë 93,8 % të totalit të autorëve të veprave penale.

Autorë gjithsej dhe autorë meshkuj për vepër penale

Po në të njëjtin vit, 33,8 % e autorëve janë të grup-moshës 30-44 vjeç, 28,1 % të grup-moshës 18-29 vjeç dhe 22,1 % i përkasin grup-moshës 45-59 vjeç.

Edhe në raport me popullsinë, renditja e autorëve sipas grupmoshave është e njëjtë.

Autorë për vepër penale sipas grup-moshës, 2021
Të dëmtuar

Ndërsa të dëmtuar janë regjistruar 16 mijë e 910 persona, 5,2 % më pak, krahasuar me vitin 2020.

Personat e dëmtuar për krime kundër personit përbëjnë 37,9 % të totalit të personave të dëmtuar.

Të dëmtuar

Në totalin e personave të dëmtuar për krime kundër personit në vitin 2021, femrat përbëjnë 27,8 % të të dëmtuarve.

Përqindja më e madhe e tyre vihet re në krime seksuale, krime kundër moralit dhe dinjitetit, si dhe krime kundër fëmijëve, martesës dhe familjes.

Të dëmtuar për krime kundër personit sipas gjinisë, 2021
Procedime penale

Në vitin 2021, numri i procedimeve penale të regjistruara është 28 mijë e 349 procedime, 1,8 % më shumë, krahasuar me vitin 2020.

Nga 25 mijë e 688 procedime penale të përfunduara, 23,3 % e tyre janë pushuar, 34,7 % janë pezulluar dhe 42 % janë dërguar për gjykim në gjykatë.

Progresi i procedimeve penale të përfunduara
Të pandehur

Ndërkohë, janë regjistruar 16 mijë e 196 persona të pandehur, 20,8 % më shumë, krahasuar me vitin 2020.

Meshkujt përbëjnë 94,9 % në totalin e personave të pandehur.

Persona të pandehur sipas gjinisë
Të burgosur

Numri i të burgosurve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për vitin 2021 është 4 mijë e 956, 7,4 % më shumë, krahasuar me vitin 2020.

Në raport me popullsinë, janë 18 të burgosur për 10 mijë banorë, nga 16 të burgosur që ishin një vit më parë.

Dhe meshkujt përbëjnë 98,7 % të totalit të të burgosurve.

Të burgosur për 10 mijë banorë sipas grupmoshës

Grup-mosha 21-29 vjeç ka normën më të lartë të të burgosurve në raport me popullsinë.

Ndërsa personat mbi 60 vjeç dhe nën 20 vjeç kanë normën më të ulët të të burgosurve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore