Shqipëria

Shtatorja e së vërtetës dhe “busti” i propagandës së Arben Imamit


Ish-ministri shqiptar Arben Imami prodhoi një scoop anësor duke deklaruar gjatë një emisioni se në “mes” të Tiranës janë vendosur “bustet” e Lenin-it dhe Stalin-it.

Këta të fundit u nxorën nga konteksti i kohës si udhëheqësit e ish-Bashkimit Sovjetik, për të përafruar Shqipërinë me luftën në Ukrainë.

Madje, ish-zyrtari shqiptar kishte publikuar dhe foto “paparazzi” të shtatoreve që shiten si “buste”.

“Ka nevojë për një reagim, një reagim serioz, të brendshëm dhe të jashtëm ndaj një klike që vendos sot në Shqipëri shtatoren e Leninit dhe Stalinit në një ndërtesë qeveritare”.

Reagimi më serioz që mund të bëhet në kësi situatash, është përgënjeshtrimi i scoop-it hap pas hapi, derisa të mos prodhojë më “lajm”.

Shtatoret nuk janë vendosur sot në mes të Tiranës, por kanë qenë pjesë e asaj që quhet “turizëm i errët”, që pas zhvendosjes së tyre me rënien e regjimit komunist.

Ajo ballafaqon demokracinë me artin e realizmit socialist në formën e përjetimit të holleve të brendshme dhe “harresave” të gjymtuara jashtë.

Shtetet komuniste kulturalisht i kanë manifestuar liderët e tyre përmes shtatoreve të mëdha. Me rënien e regjimeve, disa vende vendosën t’i shkatërronin, të tjerë krijuan ekspozita, si Parku Memento pranë Budapest-it, Hungari.

Ndërsa, në Tiranë, monumentet janë zhvendosur në oborrin e pasmë të Galerisë Kombëtare së Arteve.

Ish-ministri Arben Imami
Zhvendosja

Ramiz Fiçorri, ish-zyrtari i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, të njëjtin post që ka mbajtur edhe Arben Imami, drejtoi punimet për heqjen e monumentit të Stalin-it në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ishte 21 dhjetori i vitit 1990.

“Prania ime aty”, shprehet Fiçorri, “më së shumti kishte lidhje me funksionin si komandant i regjimentit të Mbrojtjes Civile, përvoja dhe mjetet e të cilit ishin paracaktuar për të çmontuar monumentin e Stalinit nga piedestali në bulevardin e Tiranës”.

Ish-zyrtari shqiptar sqaron se heqja e statujës pa zhurmë ishte një zgjidhje asokohe e krerëve të lartë.

Kjo, për të shmangur protestat popullore që kishin përfshirë vendin pas ngjarjeve të 2 korrikut.

Tirana u zgjua mëngjesin e 21 dhjetorit të vitit 1990, ditën e përvjetorit të lindjes së diktatorit sovjetik, pa bustet dhe imazhin e tij.

Po atë natë, sipas Fiçorrit, bashkë me monumentin në bulevard, u hoq edhe Stalin-i në qendër të Kombinatit të Tekstileve, si dhe bustet e tjera në mjediset publike të kryeqytetit.

Ramiz Fiçorri
Shtatoret

Më i madhi prej tyre është ai i Joseph Vissarionovich Stalin-it, i cili dikur qëndronte në kombinatin e tekstileve që mbante pikërisht emrin e ish-diktatorit gjeorgjian.

Në dallim nga “sozia” e tij që qëndronte në Bulevard, statuja e Kombinatit përshëndeste me dorën e djathtë ndërsa tjetra e shpërvjelte në pallto.

Shtatorja e Stalin-it shoqërohet nga Wladimir Iljitsch Uljanow, Lenin-i pa krahë dhe ish-diktatori shqiptar me portretin e shpërfytyruar Enver Hoxha.

Aty gjenden edhe përkujtimore në stilin socialist të asaj kohe – një punëtor që rrëmben armën, një e re e gatshme për të luftuar.

Në qendër të vëmendjes së politikës së Partisë së Punës të Shqipërisë e të pushtetit në Shqipërinë Socialiste ishte vlerësimi i periudhave, i ngjarjeve të mëdha dhe i figurave të shquara.

Për këtë flet qartë ngritja e një numri të madh monumentesh, përmendoresh, shtatoresh, bustesh, varrezash, bazorelievesh, kompleksesh skulpturorë, lapidarësh, tablosh monumentale në pikturë etj., të shtrira në të gjitha anët e vendit.

Për të bërë më të qartë e më konkret këtë qëndrim të shtetit socialist shqiptar, po përmendim, pa ndjekur kriterin kohor të vendosjes së tyre, disa prej monumenteve më të dëgjuara.

Si Monumenti i Skënderbeut në Krujë e në Tiranë, Monumenti i Bajram Currit në Tropojë, Monumenti i Heronjve të Vigut në Shkodër, Monumenti i Kongresit të Përmetit, Monumenti i Mushqetasë, Monumenti i Pavarësisë në Vlorë, Monumenti i Lenin-it dhe i Stalin-it në Tiranë, Monumenti i Enver Hoxhës në Tiranë, Ansambli Monumental i Varrezave të Dëshmorëve në Tiranë dhe Varrezat e Dëshmorëve në rrethe, Monumenti i Partizanit në Tiranë, Muzeu i Skënderbeut në Krujë, Muzeu Historik Kombëtar, Monumenti i Heroinave të Mirditës, pa folur për buste, lapidarë, basorelieve kushtuar brigadave partizane heroike etj.

Kjo, nga ana tjetër, duhet të merret parasysh si gjeneza krijuese e veprave dhe trajtimit të tyre në ligjërimin e kohës.

Pra, një diskurs i tillë që thirret nga ish-ministri shqiptar Arben Imami është shpesh larg pritshmërive bashkëkohore të ligjërimit “kritik”.

Megjithatë, një nga karakteristikat e shtetit komunist në Shqipëri (dhe gjetkë) mund të thuhet se ishte përqafimi pikërisht i këtij lloji totalizimi poetik.

Për aq sa aspekti totalitar i shteteve komuniste – ose staliniste – ka një karakter të pandashëm estetik, atëherë diskutimi i veprave të tilla duhet të konsiderohet një aspekt domethënës i kuptimit të tyre, krahas cilësive formale.

Dëshira për rrënim

Statujat kanë qëndruar për më shumë se një shekull në disa vende. Disa janë të lara në bronz, të tjera të gdhendura në gur.

Dhe në të gjithë botën, ndërsa protestat kundër racizmit dhe dhunës policore kanë ripërtërirë vëmendjen mbi trashëgimitë e padrejtësive, njerëzit kanë vënë në pikëpyetje qenësinë e tyre.

Në Angli, një tregtar skllevërish i shekullit të 17-të u hodh në portin e Bristol-it. Në Antwerp, një mbret belg që brutalizoi Kongon, u dogj dhe u hoq përfundimisht.

Dhe në Shtetet e Bashkuara, më shumë se një duzinë statujash janë rrëzuar, duke përfshirë disa figura të Konfederatës.

Në dhjetëra qytete të tjera, ato që janë ende në këmbë janë shënuar me mbishkrime, janë sfiduar sërish me peticione dhe protesta, ose janë planifikuar të hiqen.

Në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik sot, arti i periudhës së Stalinit është zyrtarisht jo më pak tabu se arti avantgarde.

Shumica nga gazetat, librat dhe revistat e kohës janë në “arkiva speciale” të paarritshme për studiuesin e zakonshëm.

Shumë prej tyre janë rilyer nga autorët e tyre për të fshirë Stalin-in dhe udhëheqës të tjerë të kompromentuar të kohës. Shumë skulptura, afreske, mozaikë dhe ndërtesa thjesht u shkatërruan në procesin e destalinizimit.

Nga ana estetike duket e pamundur, shkruante Georges Bataille, që të gjykosh “Syrin” duke përdorur ndonjë fjalë tjetër përveçse joshjes.

Duke qenë se asgjë nuk është më tërheqëse në trupin e kafshëve dhe të njerëzve. Por joshja ekstreme është ndoshta në kufirin e horror-it.

Ndërsa, Imami nuk arriti të zgjojë asgjë të harruar brenda përditshmërisë kulturore dhe historike në vend.

Rikthimi i tij ishte më deklarativ se scoop-i që tentoi të bëhej lajm e më pas të kthehej në një “problem” institucional.

Shtatoret kanë qenë aty që prej zhvendosjes, veçse dikush kujtohet për to hera-herës.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për bustin e propagandës, sepse ekzistenca e saj harrohet hera-herës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore