Kosova

SHSKUK: Nëntë pacientët me Omicron po marrin trajtim mjekësor


Ilustrim

Nëntë pacientët e parë të konfirmuar me variantin Omicron të Coronavirusit, po marrin trajtim mjekësor në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.

Ndërkaq, në trajtim mjekësor janë edhe 31 pacientë të tjerë post COVID19, njofton Shërbimi Spitalor i Kosovës.

Me oksigjeno-terapi janë tetë pacientë, kurse në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive një pacient.

Raporti sipas klinikave dhe spitaleve të përgjithshme:

Klinika Infektive, katër pacientë;

Klinika e Pulmologjisë, 28 pacientë post-COVID;

Mjekim Intensiv në Klinikë Infektive, një pacient i spitalizuar;

Spitali i Prizrenit, katër pacientë;

Spitali i Gjakovës, një pacient;

Spitali i Pejës, një pacient;

Spitali i Ferizajt, një pacient.

Nëntë raste të variantit Omicron në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka lajmëruar se janë identifikuar 9 raste të variantit Omicron të SARS-COV-2 në Kosovë.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka bërë të ditur se, sot, më 26 dhjetor 2021, në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, Departamenti i Mikrobiologjisë të IKShPK, janë testuar 22 mostra pozitive në SARS-CoV-2, të periudhës kohore 15-25 dhjetor 2021”.

“Nga këto mostra, nëntë (9) prej tyre kanë rezultuar pozitive në prani të variantit Omicron (B.1.1.529). Nga hulumtimi epidemiologjik, ka rezultuar se nga këto raste”.

Prej këtyre rasteve të identifikuara, 2 janë raste të ardhura nga ShBA, 2 nga Londra, 1 nga Franca, dhe 4 nga Mitrovica të cilët mohojnë të kenë udhëtuar jashtë vendit ose të kenë pasur kontakte me dikë nga jashtë, njofton IKSHPK.

“Pas paraqitjes së variantit Omicron (B.1.1.529) në botë, Evropë, rajon e tashmë edhe në Kosovë, parashikohet që të rëndoj situatën epidemiologjike. Ky variant, në bazë të të dhënave të deritanishme nga bota, ka një përhapje edhe më të shpejtë se varianti Delta Plus”.

“MSh dhe IKSHPK u bëjnë thirrje qytetarëve që ti zbatojnë me përpikëmëri masat në fuqi dhe që të vaksinohen dhe ti inkurajonë tjerët për vaksinim. Kosova disponon me vaksina të miratuara për përdorim nga trupat më relevant botërorë. Vaksinimi mund të bëhet kurdo, pa termin, pavarësisht vendbanimit e shtetësisë”, përfundon njoftimi i Institutit.

Ngjashmëritë e shenjave klinike të variantit Omicron dhe gripit stinor janë pothuajse të përafërta.

Kjo është bërë e ditur edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

“Në shumë raste nuk është e lehtë klinikisht të dallosh gripin sezonal nga infeksione të tjera të frymëmarrjes, ku bën pjesë edhe [sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri] COVID-19, ku për diagnozë përfundimtare kërkohet një test diagnostik”, është thënë nga IKSHPK-ja përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Kjo mbi të gjitha po shihet si sfidë në vete nga epidemiologu, Isuf Dedushaj.

Ai në një prononcim për Radio Evropa e Lirë ka thënë se pavarësisht se situata epidemiologjike me COVID-19 është aktualisht e qetë, ka tendenca të përkeqësohet.

“Shenjat klinike të gripit A [gripit stinor] janë shumë të ngjashme dhe të përafërta me Coronavirusin. Kështu që do të kemi edhe një problem më shumë me gripin sezonal, për arsye se ai manifestohet me temperaturë deri në 40 gradë”, ka thënë Dedushaj.

Ai tutje ka sqaruar edhe simptomat që mund të paraqiten të ngjashme dhe dallimin e tyre.

“Manifestohet me dhembje të kyçeve, heqje të barkut, me dhembje të muskujve dhe në nyje. Kështu që janë të ngjashëm [me koronavirusin], por te gripi nuk ka nevojë për oksigjeno-terapi”.

Mirëpo, mikrobiologeja Gjyle Mulliqi-Osmani, konsideron se ngjashmëritë e variantit Omicron me gripin stinor, janë mjaft të mëdha në aspektin klinik.

“Sepse ka edhe rrjedhje hunde, ka edhe ënjtje të mukozave, të rrugëve respiratore, nuk ka gjithherë temperaturë, ka dhembje, sikurse që ka edhe me virus të gripit, ka dhembje të muskujve sikurse edhe me virus të gripit”, është shprehur Mulliqi-Osmani.

Ajo shton se, “diferencimi më i mirë dhe më i preferuari do të ishte me diagnozë laboratorike. Por klinikisht, zakonisht, është mjaft vështirë që krejtësisht dhe me siguri 100 për qind të diferencohen”.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së më 17 dhjetor, nga 15 mijë e 768 raste me grip, dy mijë e 498 janë cilësuar si infeksione respiratore akute dhe 69 me infeksion të rëndë respirator akut.

Ndryshe, me gjashtë dhjetor disa mostra të qytetarëve nga Kosova që dyshohet se janë infektuar me virusin më të ri Omicron janë dërguar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në Gjermani për analiza.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se deri tani nuk është raportuar ndonjë vdekje që lidhet me variantin e ri të Coronavirusit, Omicron, variant ky që është detektuar në pothuajse 40 shtete të botës.

OBSH-ja ka thënë se më tre dhjetor ende duhet kohë për të kuptuar se sa infektues është ky variant, nëse shkakton sëmundje më të rënda dhe sa janë efektive trajtimet dhe vaksinat kundër Omicronit.

Për herë të parë, variant Omicron i COVID-19 është identifikuar në Afrikën e Jugut, në muajin nëntor.

Deri tani është përhapur në dhjetëra vende të botës.

Omicron ka më shumë mutacione sesa varianti aktual dominues Delta dhe nuk është ende e qartë se sa efektive janë vaksinat ekzistuese kundër tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore