Lajme

ShSKUK-ja me shërbim të ri për pacientët në Klinikën e Kardiogjisë Invazive


Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku dhe kardiologu Artan Ahmeti.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) dhe Komuna e Prishtinës, të enjten kanë nisur zbatimin e pilot projektit përmes së cilit pacientët e rajonit të Prishtinës që pësojnë infarkt akut të miokardit do të kenë mundësi që të marrin trajtimin në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë Invazive.

Lajmin e ka bërë të ditur ShSKUK-ja përmes një komunikate për media duke thënë se kjo është arritur pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit me komunën.

“Me këtë rast, drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, tha se ShSKUK, përmes Klinikës së Kardiologjisë do të mundësojë që pacientët që pësojnë infarkt të miokardit do të sjellen direkt në Kardiologji Invazive nga Enti i Urgjencës së Komunës së Prishtinës, duke shfrytëzuar kohën që në mjekësi njihet si koha e “artë” në reagim të shpejtë”, thuhet në komunikatën e ShSKUK-së.

Sipas tij, ky është vetëm fillimi i projektit që parashihet të zgjerohet në tërë Kosovën.

“Këtë bashkëpunim e kanë vlerësuar edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj dhe drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i Komunës së Prishtinës, Izet Sadiku, të cilët kanë falënderuar ShSKUK-në, duke ofruar të gjitha kapacitetet mjekësore dhe infrastrukturore për të zbatuar këtë projekt jetik për pacientët”.

Ndërsa, për rëndësinë dhe rolin ka folur edhe Artan Ahmeti, kardiolog i Klinikës së Kardiologjisë, i cili ceku përfitimet shëndetësore që do të kenë pacientët, përmes realizimit të këtij projekti.

Infarkti akut i miokardit është ndërprerja e menjëhershme e furnizimit të muskulit të zemrës me gjak dhe për pasojë me oksigjen.

Infarkti akut i miokardit përbën urgjencë mjekësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore