Shqipëria

Shqipëria pret proces realist për zgjerimin e BE-së jo si nder, por si zhvillim


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, gjatë fjalës së saj në konferencën për shtyp përpara debatit të hapur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka theksuar se Shqipëria pret një qasje realiste dhe në afate kohore të duhura, sa i përket procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo, sipas kryediplomates shqiptare, jo në një formë nderi, por sepse është një premtim mbi investimin që Evropa ka marrë përsipër në rajon, për të sjellë zhvillim të mëtejshëm.

Mbi të gjitha, kjo thirrje vjen në një kohë kur lufta në Ukrainë po trondit çdo themel të krijuar e të rrënjosur deri tani në raportet mes vendeve.

Një ndër aspektet e tjera për Ballkanin që ministrja përmendi, është edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shqipëria pret me padurim një proces të përshpejtuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kjo duhet të çojë më në fund edhe në njohjen reciproke mes dy vendeve”, shtjelloi ministrja të enjten e 16 qershorit.

Ukraina

Kryediplomatja shqiptare, Olta Xhaçka, gjatë fjalës së saj në një konferencë përpara debatit të hapur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka përgëzuar disa nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shqipërinë për strehimin e rreth 7 milionë ukrainasve të zhvendosur me forcë nga lufta.

“Shqipëria u është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, të cilat sipas mendimit tonë janë dhe duhen parë vetëm si një mjet për t’i bërë të ditur Kremlinit se veprimet kanë pasoja”, theksoi kryediplomatja shqiptare.

Më tej, ajo tha se ndalimi i luftës nga Federata Ruse dhe përfshirja në negociata është mënyra e vetme për të trajtuar çështjet dhe ankesat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore