Shqipëria

Shqipëria në heshtje zgjedhore


Hapja e kutive të votimit për zgjedhjet vendore të 14 majit gjendet më pak se 24 orë larg dhe pas një muaji fushate elektorale, heshtja është ajo që qëndron eminente, për t’i lejuar qytetarët të vendosin zgjedhjen e tyre fletët e votimit.

Shqipëria ka lënë kështu pas një muaj agonik të fushatës, i ndezur vetëm ditët e fundit rreth çështjes së Himarës, ku me deklarata e kundër-deklarata lidhur me “helenizimin” e bashkisë jugore shqiptare, u pa edhe një arrestim i një prej kandidatëve zgjedhorë.

Bëhet fjalë për Fredi Belerin, i cili nën vulën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, në fushatën e tij, lëshoi edhe një intervistë për gazetën greke “Protothema”, ku përçonte në mendje semantikën e “helenizimit” të Himarës – term ky i harruar prej vitesh në Shqipëri dhe i lënë pas në kohë.

Por kjo nuk ishte arsyeja e arrestimit, sa akuzat që rëndojnë mbi kandidatin e Sali Berishës dhe Ilir Metës, i caktuar aty nga kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili sipas Prokurorisë së Vlorës, është kapur në aktin kundërligjor të shitblerjes së votës.

Përpos këtij episodi, i cili sa sporadik, aq edhe ndikues në gjithë dinamikën zgjedhore dhe ndoshta përcaktues në rezultat, gjithçka tjetër ka qenë relativisht e qetë.

Një fushatë me mbjellje pemësh u premtua nga Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama, ku e tillë ishte në gjysmën e parë.

Gjysma tjetër, mes një retorike denigruese për kundërshtarët dhe një shpalosjeje të asaj çfarë kërkohet të jetë vijimësia e punës socialiste, është zhvilluar nën ritme “tallava”, me këngën elektorale të PS-së.

Rrugë tjetër kanë ndjekur kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë, të cilët pavarësisht se me moto demokrate, por pa vulë të Partisë Demokratike zyrtare, e kanë zhvilluar fushatën si të jenë blutë e vërtetë.

Në qendër të saj u vendos Sali Berisha, drejtues politik i koalicionit dhe në bashki të caktuara, Ilir Meta, bashkëdrejtues, por thelbësor për qenien në lojë të palëve politike.

Takime elektorale në terren, premtime për një të ardhme më të mirë nën qeverisjen e tyre vendore, deri edhe në “zhbërje të diktaturës”.

Ky ka qenë plani i shpalosur i “Bashkë Fitojmë”, për pretendimet e fitores në shumicën e bashkive në vend, pavarësisht se sondazhet nuk i tregojnë ata në epërsi.

Nga ana tjetër, një Parti Demokratike në mos inekzistente, krejtësisht e dërrmuar, e lënë në vajtim nga përçarja e brendshme, me kandidatë në një grusht bashkish mbi të cilat as nuk pretendohet fitore dhe me mendje për nga një “plan B” rreth zgjedhjeve 2025.

Më parë, forca kryesore e djathtë politike e vendit nuk është parë më në lëngim dhe këto zgjedhje ndoshta, mund ta reflektojnë me rezultatin më të keq në historinë e 33 viteve pluralizëm.

Kandidatët e tjerë, krejtësisht sporadikë, të anashkalueshëm, përtej një Arlind Qori në Tiranë, i cili me partinë e tij të sapo-krijuar, Lëvizja Bashkë, ka kërkuar të bëjë ndasinë e qartë mes politikës që nuk duhet më dhe alternativës që ai vetë sjell.

Për pjesën më të madhe, një “show politik”, heshtja zgjedhore dhe 24 orët e saj do të respektohen, pavarësisht rasteve të goditjes së aktit të shit-blerjes së votave, pretendimeve për presione, apo akuzave për kërcënime ndaj elektoratit.

Numërimi mbrapsht për hapjen e kutive dhe të garës reale, ka filluar tashmë me akrepa decimalë.

Shqiptarët janë gati të zgjedhin përfaqësuesit e tyre vendorë për katër vitet e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore