Shqipëria

Shqipëria është një histori suksesi dhe duhet ta festojmë këtë, thotë Cameron


Sipas Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron, Shqipëria është një histori suksesi në disa aspekte, si për shembull ai ekonomik, fusha e mbrojtjes dhe NATO-ja, apo deri edhe lidershipi i lartë i treguar në mandatin dyvjeçar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Për Cameron, duke përmendur vizitën e tij “të vonuar” në vend, nuk është thjesht një çështje bisedimesh e diskutimesh mes vendeve për bashkëpunimin, por edhe për të festuar këtë sukses të historisë shqiptare.

Gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Cameron ravijëzoi rolin e Tiranës në rajon, si edhe vlerësoi maksimalisht lidershipin e kreut të Qeverisë shqiptare, duke përmendur ndër rreshta edhe batuta se “Rama ka fituar më shumë zgjedhje se ai vetë”, duke iu referuar mandateve si udhëheqës të vendit.

Përpos të tjerash, kryediplomati britanik përforcoi edhe arritjet e mëdha që Shqipëria ka pasur në fushën e emigracionit të jashtëligjshëm, duke përmendur reduktimin e ndjeshëm të kalimeve ilegale – një shqetësim që ka qenë i madh për ishullorët në vitet e fundit.

Aq sa shqiptarët u kthyen në dhimbje kokë për kalimet e jashtëligjshme drejt Britanisë së Madhe, përmes kanalit të La Manche.

Por, sipas Cameron, vendi ka treguar se është i aftë të ndihmojë në luftën ndaj emigracionit të jashtëligjshëm dhe është bërë edhe shembull për veprimin e vendeve të tjera.

Në të tilla linja ishte edhe qëndrimi i kryeministrit Rama gjatë konferencës.

Rama theksoi se kanë folur “jo vetëm në aspektin e marrëdhënieve si dy vende aleate në NATO por dhe si marrëdhënie bilaterale në kushtet ku Britania e Madhe synon të jetë më ë pranishme në rajonin tonë. Kemi folur për përfshirjen në një projekt strategjik për Shqipërinë, Kosovën, rajonin që është hekurudha Durrës-Prishtinë që është element kyç i projektit rritjes kapaciteti lëvizjes jo vetëm ndërmjet dy vendeve”.

Emigracioni, hekurudhat dhe angazhimi britanik në rajon – pikat e diskutimit mes Ramës dhe Cameron

Ndër të tjera ai e ka cilësuar si një mik të veçantë për Shqipërinë.

“Ditë e posaçme për ne por edhe për mua personalisht sepse kemi një mik të veçantë, një personalitet të njohur të politikës, pasi jo vetëm kemi një mik nga një vend që është aleat dhe partner i rëndësishëm, Lordin Cameron por edhe në të njëjtën kohë, një mik të posaçëm të këtij rajoni dhe të Shqipërisë që më në fund erdhi në Tiranë pasi e ka marrë ftesën prej disa vitesh dhe tani jam i bindur që do të rikthehet përsëri”.

Kreu i qeverisë shqiptare ravijëzoi gjithashtu se kanë folur “padyshim edhe për projektin apo programin e përbashkët të luftës kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore, jemi shumë të kënaqur, por operacioni ynë i përbashkët do të vazhdojë”.

“Gatishmëria në dekurajimin e flukseve të këtij trafiku do të jetë maksimale edhe në vazhdim. Lidhet me vullnetin e përbashkët për t’i shkuar në rrënjë këtij fenomeni. Kemi diskutuar edhe për ecurinë e proceseve të pajtimit të bashkëpunimit në rajon. Cameron është mbështetës i vendosur i këtyre proceseve”.

Rama tha se “Mbretëria e Bashkuar ka shprehur interes për normalizimin e raporteve edhe për Kosovën e Serbinë, ku ka pasur hapa pozitiv por në vijimësi ka edhe ngecje në vend apo në vijimësi ndihet rreziku i kthimit mbrapa”.

“Unë dëshiroj të falënderoj kryeministrin Sunak dhe lordin Cameron për gatishmërinë e tyre për të mbështetur ofrimin e Shqipërisë, që të bëhet vitin e ardhshëm vendi pritës i samitit të madh të komunitetit të përbashkët evropian, që do të mbahet në Londër”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore