Shqipëria

Shqipëria do të dërgojë edhe 40 trupa shtesë vitin tjetër në Kosovë


Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka thënë se vitin do të tjetër do të arrijnë edhe 40 ushtarë shqiptarë në Kosovë në kuadër të KFOR-it, derisa ka theksuar se rreziku për ndonjë sulm tjetër terrorist pas atij të 24 shtatorit nga Serbia është permanent.

“Ne kemi një numër të caktuar të ushtarëve, në fakt kemi mbi 100 ushtarë në Pejë dhe në komandën e KFOR-it. Vitin tjetër do të sjellim trupa shtesë në kuadër të KFOR-it për të qenë gjithmonë brenda detyrimeve të saj që ka si një shtet anëtar i NATO-s dhe aleat i fuqishëm i perëndimit. Ne në vitin tjetër do të sjellim edhe 40 ushtarë”, tha Malaj në një intervistë për Kosovapress.

“Përderisa flet presidentja e Kosovës dhe strukturat e tilla të një shteti i cili është mirë i organizuar, padyshim që ata kanë informacionin e duhur dhe i dinë shumë mirë këto gjëra. Unë nuk kam informacionin e duhur, ndoshta për detaje, por di që rreziku mund të jetë permanent”, shtoi ai.

Të shtunën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka treguar se si Serbia nuk është zmbrapsur nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës e po planifikon sulme të reja.

“Radojiçiç është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarët të lartë të shërbimit sekret serb BIA, ambientet e firmës ‘Jablanovica’ në Rashkë, ngjashëm me ato të Novi Pazarit ‘Novi Pazar Put’ po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radojiçiç grupi i tij”, tha Kurti.

Grupi terrorist “Mbrojtja Civile”, pjesëtarët e së cilës morën pjesë në sulmin terrorist në Banjë, sipas informacioneve të cilat i posedon kryeministri i vendit, po kryejnë edhe vëzhgime nga Serbia thellë brenda territorit të Kosovë.

“Në këtë ndertës strehohen disa nga pjesëtarët e grupit terrorist “Mbrojta Civile” që kryejnë vëzhgime brenda territorit të Kosovës e të cilët instruktor e kanë Uglesha Jarediç’in. Paramilitarët e Radojiçiç-it po strehon në objektet të cilët ai i ka në pronësi në këtë park turistik dhe përveç akomodimit anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2 mijë euro në muaj”, tha Kurti.

Më 24 shtator, një grup terrorist serb sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për këtë sulm, Kosova ia hodhi Serbisë, por ajo e mohoi.

Milan Radojiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, tha se ai e ka organizuar sulmin dhe se për të nuk e ka njoftuar askënd. Në fillim të dhjetorit, me kërkesë të Kosovës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radojiçiç-in.

Paralajmërimet e Kurtit – një sulm u pezullua të tjerët po përgatiten

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore