Lajme

Paralajmërimet e Kurtit – një sulm u pezullua të tjerët po përgatiten


Tre muaj pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit Albin Kurti e Xhelal Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme për media për rreth 90 minuta shpjeguan se si Serbia nuk është zmbrapsur nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës e po planifikon sulme të reja.

I pari i cili morri fjalën, siç rëndom ndodh, ishte kryeministri i Kosovës, i cili dha detaje për prapaskenat e përgatitjes së sulmit të 24 shtatorit nga grupi paramilitar serb i mbështetur nga shteti i Serbisë, ndërsa njoftoi opinionin publik se përgatitjet për sulme të reja janë në fazën e përgatitjes.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç, i cili ishte në krye të një grupi paramilitar serb që sulmoi Kosovën të dielën e javës së katërt të muajit shtator, sipas Kurtit, po vazhdon përgatitje për sulme të reja në Kosovë.

Radojiçiç sulmet, sipas Kurtit, po i përgatit në bashkëpunim me disa pjesëtarë të organizatë “Mbrojtja Civile”, e cila nga Qeveria e Kosovës u shpallë si grup terrorist muaj më parë.

“Radojiçiç është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarët të lartë të shërbimit sekret serb BIA, ambientet e firmës ‘Jablanovica’ në Rashkë, ngjashëm me ato të Novi Pazarit ‘Novi Pazar Put’ po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radojiçiç grupi i tij”, tha Kurti.

Grupi terrorist “Mbrojtja Civile”, pjesëtarët e së cilës morën pjesë në sulmin terrorist në Banjë, sipas informacioneve të cilat i posedon kryeministri i vendit, po kryejnë edhe vëzhgime nga Serbia thellë brenda territorit të Kosovë.

“Në këtë ndertës strehohen disa nga pjesëtarët e grupit terrorist “Mbrojta Civile” që kryejnë vëzhgime brenda territorit të Kosovës e të cilët instruktor e kanë Uglesha Jarediç’in. Paramilitarët e Radojiçiç-it po strehon në objektet të cilët ai i ka në pronësi në këtë park turistik dhe përveç akomodimit anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2 mijë euro në muaj”.

Ai përmendi disa lokacione në Serbi, përfshirë poligone ushtarake, ku pretendoi se po stërviten pjesëtarët e grupit të Radojiçiç-it.

Kurti pretendoi se një grup prej 80 personash që janë larguar nga Kosova po vazhdojnë ushtrimet në poligonin “Zimovnik”, afër Rashkës, dhe se stërvitjet po drejtohen nga ushtarakët serbë në pension.

Po ashtu, ai përmendi edhe poligonin e ushtrisë serbe në “Peshter”, ku sipas tij, kanë rinisur ushtrimet e një grupi prej 60 personash të “Mbrojtjes Civile”.

“Ky grup pati planifikuar sulm ndaj Policisë së Kosovës pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative”.

Për këtë qëllim, sipas Kurtit, raportohet se ka pasur lëvizje edhe nga ushtria e Serbisë, e cila ka stacionuar ushtarët e saj në disa pika në afërsi të kufirit me Kosovën në lokacione ku parashiheshin këto sulme.

“Pjesëtarët e grupit terrorist që kanë ikur nga Kosova janë grumbulluar edhe në një vend tjetër të quajtur ‘Goç’ një bjeshkë afër Kralevës ku është e vendosur njëra ndër bazat më të mëdha të xhandarmerisë serbe në rajon”, theksoi ai.

Shefi i Ekzekutivit ndër të tjera tha se kumtimi i urdhrit për sulmin në Banjë, ishte dhënë në ambientet e kompanisë “Novi Pazar Put”, në pronësi të Zvonko dhe Zharko Vesellinoviç, që kanë qenë partnerë biznesi të Radojiçiç-it, ndërsa pas sulmit të dështuar të 24 shtatorit automjetet dhe armët e përdorura në Banjë, janë dërguar në kompaninë në fjalë.

Ndër të tjera, Kurti tha se autoritete e Kosovës ishin në dijeni të një plani për një sulm në nëntor për, siç tha, rimarrjen e vilës së Radojiçiç-it afër Liqenit të Ujmanit, që autoritetet kosovare sekuestruan pas sulmit të 24 shtatorit.

Planet paraprake hakmarrëse ndaj Policisë së Kosovës, sipas Kurtit, kanë ndryshuar pas intensifikimit të patrullimit të përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë.

Kurti më tej bëri të ditur se arsenal armësh, sipas informacione, po fshihet në një hotel në Banjë të Novi Pazarit, rreth 25 kilometra në distancë nga pika kufitare Jarinje.

“Kjo hapësirë besohet që të jetë në pronësi të grupit terrorist i cili ka marrë pjesë në sulmin e Banjës”.

Kurti në fund potencoi se në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, Kosova është e përgatitur që të zmbrapsë sulme të tilla.

Ai nuk la pa e kritikuar edhe Prokurorinë e Shtetit, për siç tha ai, mos-punën në raport me ngjarjet në Veri.

Prokuroria nga Kurti u kritikua për mungesë të aktakuzave ndonëse të njëjtët posedojnë informacione të mjaftueshme për të vepruar në bazë të ligjit.

“Ka pa numër fakte dhe dëshmi materiale që janë më se të mjaftueshme për të ngritur aktakuzat për sulmin në Banjë. Ka shpërputhje shumë të madhe mes informacionit, fakteve, dëshmive e argumenteve në njërën anë dhe aktakuzave e proceseve gjyqësore në anën tjetër”.

Ministri i Punëve të Brendshme, ndërkaq, bëri një kronologji të gjithë ngjarjes që ndodhi më 24 shtator.

Ai paraqiti fotografi, harta dhe pamje të shkëputura nga droni, për vendndodhjen dhe lëvizjen e pjesëtarëve që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjë.

Ai madje paraqiti informacione për të dyshuarit e sulmit, duke publikuar fotografi dhe informacione të tjera personale për ta.

Sveçla tha se që nga viti 2021 deri më tani, Policia e Kosovës ka qenë cak i 114 sulmeve në Veri, kryesisht të kryera nga grupi, që sipas tij, kreu sulmin në Banjë.

Ajo që ra në sy gjatë fjalimit të Sveçlës në konferencë ishte shmangia me ngulmë e përmendjes së Njësisë Speciale Intervenuese, ajo e cila e para intervenoi, neutralizoi dhe eliminoi terroristët në ditën më kritike për Kosovën që nga pas lufta.

Sveçla ndonëse përmendi Njësinë Speciale të Reagimit të Shpejtë, Njësinë Speciale Operative, me delikates eskivoi citimin e NjSI-së, meqë këta të fundit po kërkojnë kushte më të mira e rritje pagash.

Më 24 shtator, një grup terrorist serb sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.

Përgjegjësinë për këtë sulm, Kosova ia hodhi Serbisë, por ajo e mohoi.

Milan Radojiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, tha se ai e ka organizuar sulmin dhe se për të nuk e ka njoftuar askënd.

Në fillim të dhjetorit, me kërkesë të Kosovës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radojiçiç-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore