Shqipëria

Shqipëria dhe Kosova të bashkuara në rrugëtimin e sigurisë rajonale


Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes i Kuvendit të Kosovës, ka pritur në një takim pjesëmarrësit e Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Pjesëmarrësit e Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë janë pritur në takim nga Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes i Kuvendit të Kosovës.

Zëvendësdekanja e Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Etleva Smaçi, ka thënë se është e lumtur që në çështjen e sigurisë dhe të mbrojtjes Shqipëria është bashkë me Kosovën.

“Ne jemi shumë të kënaqur që jemi së bashku në rrugëtimin e sigurisë rajonale. Jemi bashkë të gjithë sepse siguria është e të gjithëve”, është shprehur ajo.

Ndërsa koloneli Altin Kurti kërkoi të informohet më shumë lidhur me dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) jashtë vendit dhe për fokusin e Komisionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Nënkryetari i komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Enver Dugolli ka thënë se ky është kursi më i lartë i sigurisë dhe mbrojtjes.

Ai ka shprehur mirënjohjen që shteti shqiptar i ka dhënë mundësi kuadrove nga Kosova që të jenë pjesë e këtij kursi.

Dugolli ka theksuar se synimi i Kosovës është që sa më parë të jetë anëtare e NATO-s, si shtet garantues i sigurisë së rajonit.

“Komisioni ka 11 anëtarë, por fatmirësisht shumë rrallë apo hiç kemi divergjenca mes deputetëve të subjekteve politike kur kemi të bëjmë me çështjen e sigurisë dhe mbrojtjes. Ky kurs ka dhe thellon në vazhdimësi bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kështu ndërtohen edhe raportet e ndërsjella”, ka deklaruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore