Shqipëria

Shqipëria dëshiron të riatdhesojë qytetarët e saj që luftuan për ISIS-in


Katër vjet pas humbjes së ISIS-it, Shqipëria po përgatitet të sjellë në shtëpi qytetarët e saj që luftuan në Siri në krah të organizatës terroriste.

Deklarata është bërë ekskluzivisht për transmetuesin rumun “TVR News”, duke cituar një drejtor të qendrës që koordinon riatdhesimin, institucion në varësi të kryeministrit shqiptar.

Deri më tani, vitet e fundit, Tirana zyrtare ka riatdhesuar vetëm gratë dhe fëmijët e luftëtarëve të ISIS-it në kampet e kontrolluara nga kurdët në Siri.

Pasi të kthehen nga qeveria shqiptare, ata rrezikojnë të burgosen për terrorizëm.

Nëndrejtori i Qendrës për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit, Ermal Jauri, deklaroi për transmetuesin rumun se, ndryshe nga gratë dhe fëmijët e riatdhesuar nga Siria, burrat me shumë gjasa do të përballen me akuza.

“Shqipëria ndryshoi ligjet në vitin 2014 dhe kushdo që luftoi për një vend të huaj konsiderohet terrorist, veçanërisht ata që kanë qenë në Siri dhe Irak”, theksoi ish-ushtaraku.

Sipas disa burimeve nga strukturat e forcave në Tiranë, numri i atyre që tani janë në burgjet kurde është i vogël, afërsisht 10-15 persona.

Riatdhesimet

Vlerësohet se 127 shtetas shqiptarë kanë shkuar në luftë në Siri dhe Irak, sipas shifrave të organeve kompetente.

Shumë prej tyre u vranë, duke i lënë gratë dhe fëmijët e tyre të ngujuar në kampet siriane.

Mes viteve 2015 dhe 2019, personat që u kthyen në Shqipëri erdhën individualisht dhe pa asnjë mbështetje nga shteti.

Programet e riatdhesimit të qeverisë nisën në vitin 2019. Deri më tani, Shteti Shqiptar ka riatdhesuar 25 persona.

Mëngjesin e 1 gushtit të vitit 2021, 14 fëmijë dhe pesë gra shqiptare shkelën në “Atdhe” për herë të parë pas shumë vitesh.

Familjarët e riatdhesuar nga kampi Al-Hol në Siri shoqëroheshin asokohe nga kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, dhe konsulli i nderit në Liban, Mark Gharib.

Nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rama pohonte se operacionet për riatdhesimet e shqiptarëve po vijojnë, porse nuk dihet ende numri i saktë i tyre në operacionin e radhës.

E vetmja e dhënë, sipas kryeministrit, është që shifra e të riatdhesuarëve do t’i përafrohej asaj të 1 gushtit 2021.

Në tetor të vitit 2020, pesë shqiptarë u riatdhesuan, ndërsa një fëmijë u kthye në vend në 2019.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore