Shqipëria

Shqipëria dënon rrëmbimin e gazetarit në Bjellorusi


Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, ka bërë me dije nëpërmjet një statusi në Twitter, qëndrimin zyrtar të Shqipërisë, lidhur me çështjen e gazetarit bjellorus, Roman Protasevich, i cili u burgos pas diversionit që një avion i linjës Athinë-Vilnius, bëri drejt Minsk-ut.

“Të shokuar nga pengmarrja e Ryanair. Shqipëria i bashkohet thirrjeve për hetim ndërkombëtar në këtë incident serioz dhe të rrezikshëm. Të lirohet Roman Protasevich”, shkruhet në postimin e Xhaçkës.

Kështu, Shqipëria i bashkohet qëndrimit të aleatëve të mëdhenj botërorë.

Presidentja e Këshillit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu shqetësimin e menjëhershëm mbi çështjen. Ajo paralajmëroi edhe masa, të cilat pritet të merren ndaj Bjellorusisë.

Po të njëjtën gjë ka bërë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke paralajmëruar sanksione.

Protasevich është një ndër kritikët më të mëdhenj të regjimit të Alexander Lukashenko-s. Ai është themelues i një aplikacioni, nëpërmjet të cilit transmetohen lajme që demaskojnë regjimin e presidentit të tre dekadave të fundit.

Shefi i Ryanair nga ana tjetër, Michael O’Leary, mendon se në bord të avionit, ka pasur agjentë të shërbimit sekret KGB.

Sipas tij, rrëmbimi është i “sponsorizuar nga shteti”. Mbi qëllimet e rrëmbimit, ai pretendon se “gjithçka është bërë që Protasevich të largohet nga partnerja e tij”.

Kjo ngjarje ka marrë vëmendje të gjerë botërore. Më së shumti, pasi është cilësuar si një sulm i pastër ndaj fjalës së lirë – fjalë e lirë, e cila është sanksionuar jo pak herë nga regjimi i Lukashenkos në vitet e pushtetit të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore