Shqipëria

‘Shpërthyesja’ Adriana Kalaja, e gatshme të tërheqë zvarrë…shoferin e ekskavatorit


Adriana Kalaja ka qenë në mënyrë të padiskutueshme ndër emrat kryesorë sa i përket mbrojtjes së kauzës kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, duke qenë edhe se ajo vetë ishte avokatja mbrojtëse e çështjes.

Mirëpo, gjërat filluan të mbanin pakëz erë, kur deklaroi se do të garonte në primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë Tiranë dhe bëri bujë me një deklaratë se kullave të ndërtuara në qendër të kryeqytetit, do t’u vinte tritolin.

Këtë madje e ktheu edhe në lajtmotiv të kandidaturës së saj.

Me garën e humbur gjithsesi – pak vota mori Kalaja në primare – kauzën e ‘gjakut’, vijon të ketë atë të Teatrit. Mbi të gjitha, në kushtet vetëm ditën e sotme të 21 dhjetorit, filluan zyrtarisht punimet, për të hedhur themelet e ngritjes së Teatrit të ri Kombëtar.

“Jemi gati për të hapur themelet e Teatrit të ri Kombëtar. Teatri i vjetër nuk kishte as themele, as siguri. Sot jemi gati”.

Kështu e nisi fjalën e tij, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në hapjen e punimeve për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Ndërsa Kalaja, qëndrimin, vijon ta ketë “shpërthyes”, por jo më me tritol…me fjalë të ashpra kundrejt punonjësve të thjeshtë.

Kështu duket ajo në një video nga sheshi i ndërtimit të Teatrit, ku zëmadhe i thotë punonjësit që drejton ekskavatorin, të zbresë nga mjeti, përndryshe, do të jetë ajo, e cila do ta tërheqë zvarrë atë.

Nën kërcënimet e Kalasë, punonjësi nga brenda mjetit iu thotë se ai gjendet aty për bukën e gojës dhe nuk ka gisht në çfarë ndodh, përveçse zbaton urdhrat e eprorëve të tij.

Veçse edhe për këtë, përgjigjen, Kalaja e ka gati.

“Se kështu bëni ju. Ne jemi për bukën e gojës thoni ju. Të gjithë kështu jemi”, vijon ajo më tej, me tone të larta jo si një person që vepron në fushën juridike, por në atë të rrugës.

Kështu, jo gur gur siç thotë shprehja e urtë, por me një të pulitur të syve, nga tritoli, Kalaja kaloi tek zvarritjet!

Me një tjetër pulitje, nga gjuha e dhunës, ku i dihet…mund të shkohet edhe drejtpërdrejt në dhunë, fundja e lehtë është.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore