Shqipëria

Shpërdoruan detyrën/ 4 zyrtarë të arrestuar në Sarandë, në kërkim ish-drejtoresha e ASHK-së


Policia e Sarandës ka ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest me burg”, ndaj katër punonjësve të Agjencisë së Kadastrës Sarandë. Ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtorja e tyre.

Konkretisht të arrestuar janë shtetasit A. Dh., 34 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë ish-drejtor i ASHK-së Sarandë, V. L., 37 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, pranë ASHK-së Sarandë, S. B., 32 vjeç dhe E. Y., 37 vjeç, banues në Sarandë – të dy me detyrë hartograf pranë ASHK-së Sarandë.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasja K. S., 34 vjeçe, lindur në Sarandë dhe banuese në Bolonja, Itali, me detyrë ish-drejtoreshë e ASHK-së Sarandë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke pajisur në mënyrë të kundërligjshme, me certifikata pronësie, disa shtetas, për pasuri, tokë dhe prona, në zonat bregdetare të qytetit të Sarandës dhe të Ksamilit.

Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Hetimi i këtij rasti është bërë në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në vitin 2021, dhe në bazë të kallëzimit penal të ardhur nga Drejtoria e Antikorrupsionit pranë Ministrisë së Drejtësisë, në vitin 2022.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “heshtja 2” është bërë i mundur dokumentimi i plotë ligjor i aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e ndërtimeve pa leje, në Sarandë dhe Ksamil.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore