Shqipëria

Shpenzimet e Ramës për udhëtime, 5 herë më pak se të Berishës, sipas kryeministrit


Akuzat dhe kundërakuzat mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha, vijojnë sa i takon çështjes së shpenzimeve kryeministrore për udhëtimet zyrtare, pas një publikimi të grupit të hacker-ëve iranianë, të njohur si Homeland Justice.

Këta të fundit, mbrëmjen e 27 tetorit, postuan të dhënat e kreut të Qeverisë nga sistemi TIMS, ku pasqyroheshin hyrje-daljet e këtij të fundit brenda dhe jashtë vendit.

Në bazë të këtij publikimi, Berisha ka ngritur pretendimin se Rama, shpenzon shuma “marramendëse” për udhëtimet e llojit charter jashtë vendit, me një avion privat.

Prej këtyre akuzave, kryeministri ka reaguar me shifra tashmë, ku ka pasqyruar bilancin e kostos së udhëtimeve jashtë vendit.

“Shpifja monumentale e miliona euro për udhëtime tregon jo veç degjenerimin e rublaxhinjve të opozitës e gjobaxhinjve të ekraneve, po dhe përçmimin e tyre për shqiptarët”, shkruan Rama në postim.

Më poshtë, ai jep edhe pasqyrën e shpenzimeve mesatare vjetore, ku në vitin 2010, kohë kur Berisha ka qenë në postin e kreut të Qeverisë, shpenzimi shkon në 251 mijë e 365 lekë.

Ndërsa, në vitin 2021, kostoja shkon në 64 mijë e 972 lekë.

Zanafilla

Një publikim i fundit i bërë nga hacker-ët iranianë, të njohur ndryshe si grupimi “Homeland Justice”, i cili kishte për qëllim nxjerrjen në dritë të lëvizjeve jashtë vendit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ka turbulluar politikën duke risjellë një debat mes kreut të Qeverisë dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, në distancë.

Në një studio televizive, pas publikimit të të dhënave të sistemit TIMS nga ana e “Homeland Justice”, ishte Berisha, ai i cili deklaroi se sipas tij, kryeministri ka kryer 170 udhëtime me avion privat, ose siç e ka etiketuar ai, “avion taksi”.

Ky shpenzim sipas tij është shumë i madh dhe tejkalon çdo shpenzim që një drejtues i vendit ka bërë ndonjëherë.

Menjëherë më pas, Rama vetë ka reaguar përmes një postimi në median sociale Twitter, ku ka parashtruar se nëse udhëtimet që ai bën, do t’i kushtonin shqiptarëve sa “llogaritë që bëjnë non grata-t, spiunët dhe topat e mediave të baltës”, do të ishte thjesht një prej tyre.

“Nuk kam asgjë të përbashkët me ta që më ngatërrojnë me veten dhe me charter-at e tyre!”, vijon më tej kryeministri, duke shtuar se avioni me të cilin ai udhëton nuk është një charter komercial dhe këtë çështje, e ka sqaruar edhe më parë.

“Sot nuk kam ndërmend të risqaroj të njëjtën akuzë, për të cilën kush dëshiron mund t’i referohet sqarimeve të mëparshme, ndërkohë që qeveria iraniane dhe opozitarianianët shqiptarë e këndojnë atë njëzëri! Çfarë neverie!”, përmbylli ai.

Teksa, Berisha, nuk i ndali akuzat, duke vijuar pretendimin se ato janë të vërteta dhe të faktuara.

“Kryeministër i vendit më të varfër në Evropë, udhëton me mesatare shpenzimesh 150-250 mijë euro. Parkingu i avionit kushton një djall e gjysmë. Përveç sulltanëve e Sheikëve ka politikan që e bën këtë”, citoi ai.

Kjo nuk është hera e parë që grupimi “Homeland Justice” ka shkaktuar të tillë zhurmë në opinionin publik e politik shqiptar.

Më parë, ata kanë publikuar edhe të dhëna nga ish-Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, apo edhe nga kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore