Lajme

Shoqata e Pacientëve kërkon nga spitali i Pejës dhe SHSKUK-ja të marrin përgjegjësi për rastin e foshnjës


Spitali i Përgjithshëm i Pejës.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), ka reaguar ndaj ngjarjes në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës ku një foshnje e porsalindur pa shenja jete është futur bashkë me çarçafë në një lavatriçe.

Përmes një komunikate për media nga kjo shoqatë është thënë se nga ky rast është shpërfaqur edhe një herë papërgjegjësia e një pjesë të stafit shëndetësore.

Kurse sistemin shëndetësor në Kosovë e kanë quajtur “sistem të brishtë”.

“Rasti i fëmijës me autizëm në Gjilan, rasti i vrasjes së gruas dhe fëmijës të saj të palindur në QKUK, rasti i foshnjës në Spitalin e Pejës, janë pasoja të një politike të papërgjegjshme të ndjekur tash e 20 vite e cila po bëhet edhe më e pa përgjegjshme këto ditë, e nëse nuk ka një reformë rrënjësore këto raste do të përsëriten”, thuhet në reagimin e PRAK.

Kjo shoqatë ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të marrin masa të menjëhershme ndaj personave të përfshirë në rast dhe personave të cilët kanë tentuar ta fshehin atë.

“Menaxhmenti i Spitalit të Pejës dhe i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës të marrin përgjegjësi për këtë rast skandaloz që ka ndodhur”.

Foto nga spitali, ilustrim.

“Përgjegjshmëria dhe llogaridhënia ndaj publikut shkon përtej obligimeve ligjore”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka konfirmuar për Albanian Post rastin, të mërkurën e 22 dhjetorit.

Duke mos thënë detaje, meqë hetime janë në vazhdim e sipër, Gashi ka treguar se çfarë deri tani mund të konfirmojë policia.

“Para disa ditësh një person ka ardhur dhe ka raportuar se një natë më herët gjatë lindjes së bashkëshortes së tij foshnja ka dalë pa shenja jete dhe kur familjarët i kanë kërkuar trupin e foshnjës ata në spital nuk e kanë dhënë trupin”, tregoi Gashi.

Pas refuzimit për t’i dhënë trupin e pajetë të foshnjës “kanë ardhur e kanë raportuar rastin në polici”.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes. Është njoftuar prokurori dhe është iniciuar rasti, tani po vazhdojnë hetimet”, tha Gashi për AP.

Albanian Post ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikqin.

“Prokurori i krimeve të rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe jemi në pritjet ë raportit”, tha Nikqi.

Nga prokuroria është sqaruar se nuk ofron dot më shumë detaje, pasi akoma janë në fazën e hetimeve.

Kurse, Spitali i Pejës përmes një komunikate për media njoftoi se shtatë punonjës të Spitalit janë suspenduar.

“Menjëherë me të ndodhur rasti organet e hetuesisë në njëren anë dhe paralelisht organet menaxheriale të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë janë duke bërë hetime të detajuara lidhur me këtë rast”, thuhet mestjerash.

Gjithashtu, është bërë e ditur se rasti ka ndodhur mbrëmjen e 13 dhjetorit në Repartin e Gjinekologjisë, për rastin ishin njoftuar edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë.

Nga dy institucionet kryesore të shëndetësisë akoma nuk ka pasur asnjë sqarim lidhur me rastin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore