Lajme

Futja e foshnjës së vdekur në lavatriçe, shtatë punonjës suspendohen nga Spitali i Pejës


Spitali i Përgjithshëm në Pejë

Spitali i Përgjithshëm në Pejë, pas rastit skandaloz që ka ndodhur javën e kaluar, ku një foshnje e porsalindur pa shenja jete është futur bashkë me çarçafë në një lavatriçe, përmes një postimi në Facebook, njoftoi se shtatë punonjës të Spitalit janë suspenduar.

“Spitali i Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, nga Spitali i Pejës njoftuan se hetimi për rastin nuk është duke u bërë për ndërhyrjen kirurgjike, por lidhur me mënyrën se si është bërë ruajtja e fetusit dhe gjithiçka tjetër që ka ndodhur.

“Duhet theksuar se hetimet nuk janë duke u bërë për ndërhyrjen kirurgjike apo përkujdesjen tjetër shëndetësore, por lidhur me mënyrën se si është bërë ruajtja e fetuesit të vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e Fetuesit të vdekur tek familjarët”.

“Menjëherë me të ndodhur rasti organet e hetuesisë në njëren anë dhe paralelisht organet menaxheriale të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë janë duke bërë hetime të detajuara lidhur me këtë rast”, thuhet mestjerash.

Gjithashtu, është bërë e ditur se rasti ka ndodhur mbrëmjen e 13 dhjetorit në Repartin e Gjinekologjisë.

Ndryshe, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gash,  ka mundur ta konfirmojë për Albanian Post rastin.

Duke mos thënë detaje, meqë hetimet janë në vazhdim e sipër, Gashi ka treguar se çfarë deri tani mund të konfirmojë policia.

“Para disa ditësh një person ka ardhur dhe ka raportuar se një natë më herët gjatë lindjes së bashkëshortes së tij foshnja ka dalë pa shenja jete dhe kur familjarët i kanë kërkuar trupin e foshnjës ata në spital nuk e kanë dhënë trupin”, tregoi Gashi.

Pas refuzimit për t’i dhënë trupin e pajetë të foshnjës “kanë ardhur e kanë raportuar rastin në polici”.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes. Është njoftuar prokurori dhe është iniciuar rasti, tani po vazhdojnë hetimet”, tha Gashi për AP.

Albanian Post ka kontaktuar edhe me Shkodran Nikqin, zëdhënës i prokurorisë së Pejës.

“Prokurori i krimeve të rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe jemi në pritjet ë raportit”, tha Nikqi, duke sqaruar se nuk ofron dot më shumë detaje, pasi “ende jemi në fazë hetimore”.

Detaje kanë dhënë familjarë të foshnjës së lindur pa shenja jete.

Sipas një interviste të publikuar nga portali Indeksonline, një person në kushte anonimiteti por që prezantohet si familjar i foshnjës, ka thënë se qysh nga momenti kur e kërkuan trupin nga spitali hezituan t’ua japin.

Ai pretendon se nga pakujdesia bashkë me çarçafë kanë futur trupin e pajetë në makinë për larje rrobash.

Nga aty, thotë se e kanë nxjerr trupin të shpërndarë në disa pjesë.

“I kanë marrë copa copa duke e futur në qese”, thotë personi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore